Ndërsa Kuvendi i Shqipërisë vendosi të rrëzojë dekretin e Metës, dhe të kalojë të enjten për miratim Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ish-deputeti i PD-së Genc Pollo e sheh këtë xhest si refuzim të opinionit të komisionerit të Zgjerimit Várhelyi, i cili tha se duhej pritur opinioni i Komisionit të Venecias për rastin.

Sipas Pollos, Rama po konfrontohet hapur me Brukselin dhe po e largon më shumë integrimin. Në këto kushte ai tha se shqiptarët duhet të dalin në rrugë për ta larguar ose duke votuar në masë kundër tij më 25 prill.

STATUSI I PLOTE
Edi Rama refuzoi sot sërish Komisionerin e Zgjerimit Várhelyi i cili i kishte kërkuar vetëm që ligji elektoral të mos devijonte nga normat europiane dhe të priste e të respektonte Komisionin e Venecias. Kështu është vepruar gjimonë në Shqipëri në tridhjet vitet e fundit. Madje jo vetëm tek ne por në tërë Europën e më gjerë.

Edi Rama sinjalizoi jo vetëm me fjalë goje por edhe me kartonë të kuq se atij nuk i intereson Shqipëria në Bashkimin Europian dhe vlerat europiane në Shqipëri. Jo se nuk e ka bërë këtë më parë; por gjithësesi është orvatur të fshehë dorën mbasi ka hedhur gurin. Me kalimin e viteve në pushtet orvatjet e tij u bënë gjithnjë e më të pasuksesshme. Por sot Rama konfrontohet hapur me Brukselin. Sot edhe Brukseli ka folur açik për Ramën. Që t’a dëgjojnë edhe ata që nuk kanë patur sy për të shikuar e veshë për të dëgjuar.

Se nuk është faji i shqiptarëve që Maqedonia e Veriut do të hapë e para negociatat duke u shkëputur nga Shqipëria. Nuk është faji i tyre që mund të ngecim vite të gjata mbas maqedonasve e të tjerëve në Ballkan.

Por është përgjegjësi e tyre që me të gjitha mjetet demokratike të largojnë gërmadhën që bllokon rrugën; gërmadhën që quhet Edi Rama. Ta largojnë duke dalë në rrugë dhe në 25 prill duke votuar në masë.

Gjithësesi faleminderit Komisionerit, eurodeputetëve e të tjerëve që nuk u kursyen për të na ndihmuar; dhe folën qartë si kurrë më parë për të treguar edhe problemin edhe zgjidhjen. GP

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: