Në një mesazh prekës për ndarjen nga jeta të ish-kryetarit të Kuvendit dhe ish-deputetit socialist, Servet Pëllumbi, Alfred Kika Muharremi, shprehet mirënjohës për mbështetjen që familja e profesorit të nderuar i ka dhënë, duke theksuar se janë kujdesur për dhjetëra fëmijë jetim në të gjithë vendin.
Muharremi shkruan në një postim në rrjetet sociale se është bërë pjesë e kësaj familjeje dhe ka pasur mundësinë të përfaqësohet edhe në PS, falë mbështetjes së tyre.
“U prehsh në paqe Profesor Servet Pëllumbi
Familja Pëllumbi, e cila u kujdes pafundësisht për dhjetra fëmijë jetim në gjithë vendin, më bëri pjesë të familjes së saj duke më dhënë mundësinë që unë të jem përfaqësues në një organizëm politik si PS që falë vullnetit të tyre arritën dhe po bëjnë mjaft për familjen time të fatit.
Arben Pellumbi dhe Doriana Mecaj u bënë miqtë e mi duke më hapur dyert e familjes së tyre dhe më kanë mbështetur aq shumë sa nuk gjej fjalë apo vepër të shpreh gjithë mirënjohjen time 🥹.
Motivimi që më dha Arbeni, ishte shëmbëlltyra jetësore në çdo pjesë të saj nga babai i tij, profesor Servet Pëllumbi.
Kujtimi i profesorit do të jetë gjithmonë i paharruar dhe si shoqëri të jemi në borxh për çiltërsinë, maturinë, formimin, karakterin dhe modelin e jashtzakonshëm të qytetarisë
Lamtumirë Profesori ynë i madh”, thuhet në mesazh.
