Beteja e PS për të vazhduar vazhdimin është pa asnjë sens logjik.
E gjendur pa bilanc dhe me kryebashkiakë praktikisht të emëruar, Partia Socialiste ndodhet në një moment të vështirë politik.

Ajo vjen pas 10 vitesh konsum qeverisës në zgjedhjet lokale të 14 Majit me kandidatë të vjetër, ose në rastin më të keq të emëruar politikisht në zonat e tyre zgjedhore pa garë reale falë gabimit të PD-së në 2019, e cila i la në tavolinë bashkitë e vendit.

Partia Demokratike nga ana tjetër është në një udhëkryq të stërzgjatur edhe falë Kryeministrit Rama, i cili e ka imperative të mbajë peng zgjidhjen e konfliktit brenda PD dhe gjallë debatin mbi PD në çdo studio mediatike.
Është strategji komunikimi që PS ka zgjedhur që prej 9 Shtatorit 2021, që i gjithë debati mediatik të orientohet rreth Partisë Demokratike në mënyrë që të dekurajojë elektoratin opozitar.

Në fund të fundit fitorja e një force politike fillon me perceptimin publik se po fiton.
Kjo situate e ka shpëtuar Ramën publikisht nga një përballje reale PD-PS, duke mos e ekspozuar qeverinë dhe pushtetin vendor ndaj dështimeve të tyre, korrupsionit dhe keqqeverisjes, por duke e orientuar debatin vetëm nga opozita.

Edhe në Parlament është përdorur e njëjta strategji, e cila kur nuk është zgjidhur dot me mbyllje mikrofonash dhe përjashtime nga punimet e Kuvendit, është zgjidhur me shmangie ndaj interpelancave të KM Rama dhe ministrave të tij.

Sot, oferta politike për qytetarët e vendit, e cila shfaqet publikisht në çdo banak televiziv është konflikti brenda PD, vula dhe komenti mbi to.

E njëjta strategji vizuale e shmangies së përballjes po bëhet tashmë që prej 25 Prillit 2021. Kjo, me pretekstin e moskonsiderimit të kundërshtarit sepse “garën e kanë vetëm me veten…” Po sa të fortë janë realisht PS?
Tashmë, analiza duhet të përmblidhet në vetëm disa fokusgrupe: Administrata Publike, Pensionistët, Grupmosha 18-35.

Të analizosh mes kryqëzimit të të dhënave të përgjithshme gjen edhe përgjigjen e pyetjes kryesore se sa e fortë është realisht PS?

Administrata publike, e cila ka mbi 185 mijë punonjës përbën bazën e PS.
Në masën dërrmuese, në këto 10 vite janë punësuar socialistë dhe familjarë të aktivistëve kryesorë të tyre.
Patronazhistët e sotëm, apo aktivistët e PPSH.

Votat e tyre janë të sigurta për PS dhe mendohet se numri total i tyre është afërsisht rreth 100 mijë nëpunës.
Kjo armatë përdoret edhe si infrastrukturë zgjedhore nga PS duke i lënë pas krahëve punët e tyre publike dhe shërbimin ndaj qytetarëve të paktën 12 javë para datës së zgjedhjeve.

Është kjo armatë e paguar nga taksat publike, e cila mbulon territorin dhe plotëson informacione sekrete si sigurimi i shtetit dikur për komshinjtë e tyre, preferencat e tyre politike dhe nevojat e tyre që lidhen me sherbime të caktuara publike, të cilat shpesh herë zgjidhja e tyre përdoret si kusht për votë ndaj PS.
Janë pikërisht këta aktivistë që për një muaj të shoqërojnë si koordinatorët e spitaleve private deri në pështirosje vetëm për një votë.

Kjo armatë, e cila ne thelb duket solide, ka filluar të krijojë defiçensat e saj.
Korrupsioni, klanet e brendshme politike, pagat e uleta dhe rritja e kostos së jetesës, e cila ka ekspozuar pabarazi ekstreme mes klasave të nëpunësve publik (epror/vartës) ka dhënë efektet e saj.

Shumë aktivistë ndihen të demotivuar në vazhdimin e ndihmës së tyre për PS dhe kjo ka detyruar Ramën të ndërtojë platformën mbikqyrëse “Aktivisti”, e cila në thelb monitoron dhe skllavëron kontributin vullnetar të nëpunësve të emëruar nga Partia Socialiste.

Kjo i ka humbur dëshirën për kontribut armatës së PS dhe i ka kthyer thellësisht kundër disa prej tyre.
Ky ka qenë rreziku kryesor i mbulimit perfekt të territorit, i cili tashmë po jep efektet e para të dështimit të tij.

Sot, akoma nuk ka një sondazh real të votës së adminiatratës publike, sepse besimi te konfidencialiteti i tij është i vogël, por nëse do të realizohej, PS do të ishte vërtet në hall.

Fokusgrupi i dytë janë pensionistët, të cilët janë edhe pjesa më e margjinalizuar e shoqërisë.
Të ardhurat e tyre për frymë janë më të ulëtat në Evropë.

Ata u braktisën nga qeveria gjatë pandemisë dhe u lanë në mëshirë të fatit kur shteti vendosi të vidhte shqiptarët me bordin e transparencës.

Dështimet spektakolare të qeverisë në financa kanë varfëruar shumë këtë kategori të qytetarëve shqiptarë, duke lëkundur thellë besimin e kësaj kategorie të Partia Socialiste.

Kjo shtresë për shumë vite konsiderohej si mbështetëse e së majtës edhe për shkak se kur u largua PPSH nga pushteti la rreth 400 mijë anëtarë.

Ky sot mund të konsiderohet një mit, sepse nuk është aspak i vërtetë. Sot, pensionistët janë të grupmoshave (1943-1963 meshkuj dhe femra).

Kjo kategori nuk janë domosdoshmërisht fanatik të sistemit të kaluar siç ishte grupmosha e 20 viteve më parë.
Këtë e ka kuptuar edhe Partia Socialiste, e cila tashmë në shkelje të Kodit Zgjedhor premton rritje pensionesh nga frika e humbjes së të paktën 70-100 mijë votave të pensionistëve të majtë, të cilët nuk kanë më besim te Rama.

Kategoria e fundit me 18-35 vjeçarët janë pjesa më vitale e opozitës.
Edi Rama ka nga kjo kategori vetëm pjesën e nëpunësve public, të cilët në të shumtën e rasteve përbëjnë 15% të kësaj grupmoshe.

Këtu kuptojmë edhe thelbin e shpopullimit, i cili lidhet drejtpërsëdrejti me mungesën e shërbimeve dhe prespektivës në Shqipëri.

PS ka dështuar në programin e saj për arsimin dhe punësimin e të rinjve duke detyruar shumicën drrmuese prej tyre të emigrojnë.

Kjo është pjesa më e gjallë anti-Rama në shoqërinë tonë.
Partia Socialiste e di mirë këtë fakt ndaj ka bërë gjithçka ka mundur për të vonuar aplikimin e votës së emigrantëve.

Ajo ka frikë votën e të paktën 400 mijë të rinjve të larguar gjatë 2014-2020, të cilët me siguri që do të votonin opozitën.
Kjo është një analizë e përgjithshme e forcës së PS sot pas 10 vitesh skandale, arrogance, korrupsion dhe fasadë.

Këtij deshtimi qeverisës do i shtojmë edhe fyerjen e inteligjencës që i bëjnë shqiptarëve me asfaltin electoral, ata që për 4 vite i lanë qytetarët pa asnjë shërbim.

Sot, në fund të katër vjeçarit të papërgjegjshëm janë ringjallur si bamirës kryebashkiakët e emëruar të rilindjes dhe po lyejnë dhe lajnë çdo cep e fasadë për të mbjellë besim, ndërkohë që po korrin urrejtje dhe përçmim.

Qytatarët do e refuzojnë Rilindjen me 14 Maj.
Ata duan zgjidhje për problemet e tyre, të cilat nuk vijnë as me çakullin zgjedhor dhe as me debatin mbi Ali-Vulën e PD.

Sot, oferta politike kryesore duhet të jetë ndëshkimi ndaj Rilindjes për të gjitha dëmet kolosale, që i bëri qytetarëve të vendit me 10 vite korrupsion, arrogancë dhe varfëri.

Sot, duhet një mobilizim total i çdo shqiptari, i cili nuk bën pjesë në çetën e aksionistëve të rilindjes për të dënuar me votë PS në zgjedhjet e 14 Majit.

Kjo është e vetmja rrugë, e cila i hap një kapitull të ri Shqipërisë. PS nuk është aq e fortë sa hiqet dhe nuk ka asgjë të sigurtë në këto zgjedhje.

Ajo vetëm shitet si e tillë, sepse është shumë vulnerabël dhe ka shumë frikë se mos ky fakt merret vesh.
Fitorja është perceptim dhe në këtë betejë janë në lojë miliardat e korrupsionit përballë halleve të qytetarëve.
Me 14 Maj do të fitojnë qytetarët, duke e ndëshkuar me votë Edi Ramën.

Opozita e bashkuar përfaqeson sot zgjidhjen, sepse vetëm kështu fillon çmontimi i Rilindjes. Bashkë fitojme, sepse jemi shumica përballe aktivistëve dhe vullnetarëve të marrë të një regjimi të korruptuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb