Nga: OLA MITRE*

TIRANE- Mjekët, farmacistët dhe stomatologët, të cilët nuk arritën të përmbushin detyrimet e ciklit të parë 5-vjeçar të ricertifikimit do të duhet të bëjnë një kërkesë me shkrim për t’u regjistruar pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Pas shpalljes së listës përfundimtare nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim, tashmë këta profesionistë të shëndetësisë kanë përgjegjësinë për të bërë vetë regjistrimin, pasi vetëm në këtë mënyrë ata do të hyjnë në provimin e ricertifikimit, kalimi me sukses i të cilit bën që të mos iu rrezikohet vendi i punës apo licenca e ushtrimit të profesionit.

Ndërkohë që, kërkesës për regjistrim duhet t’i bashkëngjiten edhe dokumentet e mëposhtme: Fotokopje e kartës së identitetit, fotokopje e lejes së ushtrimit të profesionit dhe fatura e pagesës për provimin e ricertifikimit. Ky dokumentacion dorëzohet pranë AKP-së vetëm në regjistrimin e parë dhe shërben edhe për regjistrimin pasardhës në rast përsëritjeje të provimit të ricertifikimit.

Po ashtu, do të jetë AKPja, e cila do të njoftojë më pas kandidatët për datën dhe orën në të cilat do të zhvillohet provimi. Sipas rregullores, nga ky detyrim do të përjashtohen profesionistët e punësuar në shërbimin publik shëndetësor, të cilët për 2 vjet ose më pak arrijnë moshën e pensionit si dhe profesionistët e shëndetësisë, të cilët kanë marrë lejen e ushtrimit të profesionit për herë të parë 2
vjet përpara përfundimit të ciklit të ricertifikimit. Kjo do të thotë se ata mjekë, dentistë dhe farmacistë që janë licencuar pas datës 1 janar 2012 nuk do t’i nënshtrohen provimit të ricertifikimit.
Po ashtu, rregullorja saktëson se profesionisti pjesëmarrës në provim ka të drejtë të përsërisë një herë provimin e ricertifikimit brenda periudhës 6-mujore të përcaktuar për këtë provim dhe në një kohë të dytë jo më shumë se 5 herë.

Sipas të dhënave të QKEVsë, numri i mjekëve, farmacistëve dhe stomatologëve, që nuk arritën të plotësonin numrin e kërkuar të krediteve është 1491, nga të cilët 1004 janë mjekë, 121 farmacistë
dhe 366 stomatologë. Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” publikon sot dhe programet orientuese për farmacistët dhe dentistët, mbi bazën e të cilëve do të hartohet teza e provimit.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: