Mjeku i njohur, Halim Kosova, foli në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, për fondacionin e tij “Fondacioni i nënës dhe fëmijës -PETAL”, që fillon punën këtë javë në mbarë vendin, ku do iu ofrojë ndihmën parësore grave, vajzave e nënave shtatzëna.

Mjeku Kosova u shpreh se fondacioni ka mbyllur gjithë anën ligjore, ka marrë edhe një shkëndijë nga OBSH, dhe është gati për të nisur punën.

“Ka marrë anën ligjore komplet dhe këtë javë fillon punën normalisht. Ky nuk do të shtrihet vetëm në rrethe, por Covid-i më bëri të mendoj se edhe në Tiranë ka shumë nëna në nevojë, që nuk kanë mundësi të gjejnë derën hapur për nevojat e tyre, kështu që ky fondacion do të ketë veprimtarinë si në rrethe, ku nuk ka mjekë, edhe në Tiranë. Do një kontribut edhe Tirana. Kjo nismë ka marrë shkëndijën e vet nga OBSH, që ka miratuar një kuadër rregullator”, tha Kosova.

Çfarë stafi do të keni?
Nuk më ka munguar informacioni përmes pacientëve se si është situata në zona të ndryshme. Kam përmirësuar hartën me personel të nënës e fëmijës në gjithë Shqipërinë. Që tani e di ku janë zonat, ku nënat shtatzënë nuk kanë mundësinë e duhur për të rënë në kontakt me personelin mjekësor. Çdo banor do të ketë mundësi kontakti me bluzat e bardha, në mënyrë që të shprehë shqetësimet. Kam hasur gra shumë të ndrydhura, të lodhura, të vuajtura nga jeta. Kur ti i bën vizitë, ajo të kthehet e të thotë “Zoti i madh të ndihmoftë, që ti vjen e na ndihmon”. Ajo nxjerr nga shpirti një lloj falënderimi, që të bën të shkosh.

Çfarë lloj vizitash përfshihen?
Vizita direkte depistimi. Kjo do të thotë se kur ti shkon në një fshat, ti shkon dhe i ndihmon. Të vijnë 40 vetë, të gjithë i viziton dhe ua zgjidh hallin. Madje, ti e skedon atë si të sëmurë. Unë lë dhe një numër telefoni, që nuk ka njeri që s’e di, që jap orientim edhe përmes “WhatsApp”. Është shumë kollaj, kur ti e ke vizituar një njeri dhe pastaj ai të dërgon disa pyetje. Vizitat do të bëhen nga qyteti në qytet. Ideja ime është që unë të jap një pasqyrim të përgjithshëm të situatës në Shqipëri, që do të jetë si bazë për të ndërtuar politika për qeverinë e ardhshme për të bërë atë që duhet në sistemin parësor shëndetësor. Them se do të jetë një sistem parandalimi për shumë probleme.

Sa vizita mund të parashikohen në një ditë?
Ne jemi mësuar me lodhjen. Ajo që dua të parandaloj është të mos shkoj në një zonë të caktuar e të gjej një tufë të madhe grash, që të mërziten derisa t’iu vijë radha. Unë e instruktoj, se si gratë të lënë takim përmes telefonit dhe mjeku i familjes të planifikojë vizitat. Jemi një staf i kompletuar në këtë drejtim, që gratë të vijnë çdo një orë, një grup i caktuar, që unë të bëj vizitat dhe ato të mos presin.

Të gjithë të kërkojnë edhe në Tiranë…
Unë e kam mirëorganizuar, sepse në fakt nuk punoj vetëm, kam një staf. Asnjëherë nuk ndërpritet puna, edhe kur jam jashtë Shqipërisë. Ajo që vlen të theksohet është se unë nuk do të punoj në klinikë, por në një zonë, ku njerëzit kanë më shumë nevojë. Sa të vijnë gratë në Tiranë, me autobusë, unë shkoj atje dhe iu bëj vizitat.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb