Diagnostikimi në kohë i COVID-19 është një faktor tejet i rëndësishëm në ecurinë e mëtejshme të sëmundjes. Frika jonë më e madhe ngelet prekja e mushkërive nga virusi vdekjeprurës çka do të sillte ulje të nivelit të saturimit e si pasojë dhe nevojën për oksigjeno-terapi. Skaneri është pajisja më e mirë diagnostikuese për të parë nëse koronavirusi ka arritur të mbërrijë në mushkëri apo jo. Por kur rekomandohet ekzaminimi me skaner i pulmoneve? Në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’, mjeku imazherist Almir Skana shpjegon tri momentet e diagnozës së COVID-19 ku vlerësimi imazherik kryhet pas testimeve laboratorike.

Ndërkohë ai shton se kryerja e skanerit rekomandohet nga dita e 5 deri në ditën e 13-të e shfaqjes së simptomatologjisë klinike. Nëse realizojmë një skaner nga dita e parë deri në ditën e katër mund të marrin një fals negativitet për arsye të mosprekjes akoma të mushkërive pavarësisht infektimit të tij nga COVID-19. Lidhur me rrezikshmërinë e skanerit, Skana thekson se pavarësisht rrezatimit jonizues, përfitimi nga diagnostikimi nëpërmjet skanerit është më i madh se dëmet që mund të shkaktojë.

Si paraqitet situata e pandemisë aktualisht në Shqipëri?
Pas një viti pandemi botërore, në Shqipëri numri i të infektuarve është 114,840 prej të cilëve numri i rasteve aktive 35,356, ku për fat të keq numri i vdekjeve për 24h është 17 në grupmoshën 22-89 vjeç. Të hospitalizuar momentalisht janë 649 pacientë, prej të cilëve 43 ndodhen në terapi intensive e 15 janë në intubim. Për fat të keq në këtë luftë të vazhdueshme kanë humbur jetën në Shqipëri 1986 pacientë. Për fat të mirë këtë luftë e kanë fituar 77,498 pacientë duke u shëruar. Infeksioni i COVID- 19 tashmë prek çdo moshë duke u konfirmuar në Shqipëri më i riu i infektuar 2 muajsh dhe më i moshuari 94 vjeç.

Si realizohet diagnoza e COVID-19?
Diagnoza e COVID-19 ka tri momente: momenti i parë është kur personi mendon se është infektuar me virusin e COVID-19, moment në të cilin testi më i rëndësishëm është tamponi për konfirmimin e virusit në rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Momenti i dytë është gjatë fazës së zhvillimit të sëmundjes në organizëm ku kemi dy shtylla kryesore: së pari, testet biokimike si: PCR, D-Dimmer, Gjak Formule të cilat janë parametrat e reagimit të organizmit nga infeksioni. Së dyti: Ekzaminimet imazherike të cilat mundësojnë përcaktimin e prekjes së mushkërisë. Momenti i tretë është periudhë mbi trijavore pas kalimit të sëmundjes ku ekzaminimet serologjike konfirmojnë krijimin e antitrupave në gjak.

Sa e rëndësishme është imazheria në diagnostikimin e sëmundjes?
Vlera e imazherisë gjatë zhvillimit të sëmundjes është e padiskutueshme në lidhje me përcaktimin e gravitetit të prekjes së mushkërive që ka lidhje të drejtpërdrejtë me protokollet terapeutike të personalizuara për pacientin.

Cilat janë modalitetet e ekzaminimit imazherik për COVID-19?
Modalitetet e imazherisë për diagnozën e prekjes së mushkërive kanë tre: Tomografia e kompjuterizuar e njohur si Skaneri, Radiografia dhe së treti Ekografia.

Kur e rekomandoni kryerjen e skanerit dhe pse?
Kryerja e skanerit rekomandohet nga dita e 5 deri në ditën e 13-të e shfaqjes së simptomatologjisë klinike. Nëse ne realizojmë një skaner nga dita e parë deri në ditën e katër mund të marrin një fals negativitet për arsye të mosprekjes akoma të mushkërive pavarësisht infektimit të tij nga COVID-19.

Cilat janë simptomat që pacienti shfaq në momentin që covid ka prekur mushkërinë?
Simptomat që një pacient paraqet në rastin e prekjes së mushkërive janë ato të një infeksioni të mushkërive si: temperaturë, ethe, kollë si dhe vështirësi në frymëmarrje.

A mund ta zëvendësojë radiografia ekzaminimin skanerik të mushkërive?
Të dy modalitetet janë të mundura për vlerësimin e prekjeve të mushkërive, por duhet të theksojmë disa disavantazhe të radiografisë kundrejt skanerit. Së pari, në fillimin e prekjeve të mushkërive lezionet nuk mund të vlerësohen në radiografi ndërsa me skaner po. Së dyti, me radiografi nuk është e mundur të përcaktohet graviteti i prekjes së mushkërive në të njëjtën cilësi si në skaner. Së treti skaneri ka avantazh në përcaktimin e ecurisë së lezioneve në mushkëri si: lezione fillestare, piku i sëmundjes apo fillimi i shërimit ndërsa radiografia jo, nuk e ka këtë avantazh. Për sa më sipër diagnoza skanerike ndihmon më tepër në përcaktimin korrekt të mjekimit.

A ka raste abuzimi me kryerjen e skanerit pavarësisht se gjendja e pacientit mund të tregojë se nuk ka nevojë për skaner?
Dua të theksoj që ekzaminimet duhet të rekomandohen nga mjekët specialistë sipas kritereve diagnostike. Çdo ekzaminim i kryer pa këshillim mjekësor mund të quhet apriori abuzues.

Sa i dëmshëm është skaneri dhe a mund të kryejë një pacient me Sars COV2 më shumë se një ekzaminim të tillë?
Ekzaminimi skanerik është ekzaminim me rrezatim jonizues. Përfitimi diagnostik nga ekzaminimi është shumë më i madh se dëmtimet. Nuk ka një dozë fikse se kur rrezatimi jonizues shkakton dëmtime. Nëse është e nevojshme mund të kryen 2 ose më shumë ekzaminime skanerike.

Sa e vështirë ka qenë kjo situatë për ju si mjek imazherist?
Sigurisht që kjo është një sfidë për gjithë sistemin shëndetësor. Gjatë periudhës njëvjeçare kam kryer mbi 3 mijë konsulta imazherike fizike ose online. Ndihem mirë që formimin tim e ndaj me kolegët për një trajtim sa më të saktë të pacientëve. /Gsh.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb