Policia Rrugore e Tiranës ka shtuar patrullat e lëvizshme në rrugë duke intensifikuar kontrollet me radarë e dragera me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore përgjatë fundjavës.
Shpejtësia mbi normat e lejuara dhe alkooli në timon, të çojnë vetëm në një destinacion, mos abuzo të arrish më të keqen, në spital.

Kontrolle me radar në aksin Sauk-Teg dhe kontrolle me dragera në të gjitha rrugët e kryeqytetit.

Policia Rrugore bën me dije se, monitorimet janë kryer prej orës 20:00 të mbrëmjes e deri në 24:00 dhe janë evidentuar nga kontrolli me radar, 12 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi mbi normat e lejuara, shpejtësi që varionin nga 144 km/h deri 159 km/h, të cilëve u është pezulluar leja e drejtimit nga 2 deri në 8 muaj.
Janë ndëshkuar me masë administrative nga 6.000 deri në 12.000 lekë të rinj, 15 drejtues mjetesh për shpejtësi nga 123 km/h deri në 127 km/h.

Kontrollet kanë vazhduar dhe po vijojnë në të gjitha rrugët e kryeqytetit duke përdorur alkool testuesit dhe si rezultat janë evidentuar deri në këto momente dhe u është pezulluar leja e drejtimit 16 drejtuesve të automjeteve, të cilët drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit , në masën që varionte nga 0.31 mg/l deri në 0.48 mg/l.

Janë ndëshkuar me masë administrative nga 5.000 deri në 15.000 lekë të rinj, 26 drejtues mjetesh për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit që varionte nga 0.07 mg/l deri në 0.28 mg/l.
Gjithashtu, janë evidentuar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës 4 drejtues mjetesh që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, në masën që varionte nga 0.65 mg/l deri në 1.23 mg/l.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb