NGA: ERMELINDA HOXHAJ*
Shtyhet me 5 vite ligji i moratoriumit të gjuetisë në vendin tonë. Ditën e djeshme Këshilli i Ministrave miratoi projektligjin për “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”, ku përcaktohet se afati i zbatimit të këtij ligji është 5 vite. Qëllimi i këtij ligji është ndalimi i ushtrimit të aktivitetit të gjuetisë, me qëllim përmirësimin e gjendjes së llojeve të faunës së egër, objekt gjuetie dhe jo vetëm.

Kjo gjë ishte paralajmëruar edhe nga drejtuesit e Ministrisë së Mjedisit, të cilët paralajmëruan gjuetarët, edhe pse Shoqata e Gjuetarëve të Shqipërisë ka organizuar disa herë protesta kundër këtij ligji. Moratoriumit 2-vjeçar të gjuetisë i përfundoi afati në datë 15 mars 2016. Edhe pse nga moratoriumi erdhën rezultate pozitive sa i përket shtimit të popullatave të faunës, të cilat për disa specie ishin në minimumin jetik, sipas specialistëve, ishte e domosdoshme shtyrja e afateve.

PROJEKTLIGJI
Gjuetia në vendin tonë do vijojë të jetë e ndaluar edhe për 5 vite të tjera, pra deri në 2021-shin. Sipas ekspertëve, dy vite moratorium të gjuetisë nuk ishin të mjaftueshëm që llojet të faunës së egër, objekt gjuetie dhe jo vetëm të arrinin shtimin optimal, ndaj u kërkua shtyrja e afateve të këtij ligji me 5 vite të tjera. Sipas ligjit, ndalimi i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarisë së gjuetisë do të bëhet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Por, në nenin 4 të tij përcaktohet se, “Përjashtohen nga fusha e zbatimit të nenit 2, të këtij ligji, rastet e: konstatimit të mbipopullimit të një lloji të faunës së egër, veprimtarive kërkimore- shkencore”.

Përjashtimi bëhet vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për gjuetinë. Afati i zbatimit të këtij ligji është pesë vite nga data e hyrjes së tij në fuqi, duke e çuar në 7 vite moratoriumin e gjuetisë në vendin tonë. Sa u përket sanksioneve, në rastet se ka shkelje që nuk përbëjnë vepër penale, kundravajtësit gjobiten me 800 mijë në 1 milionë lekë, kur shkelja kryhet e organizuar nga operatorët e tureve të gjuetisë, shoqatat e gjuetarëve ose federatat e gjuetarëve. Por ama, nëse shkelësi është një individ ose pjesëtar i subjekteve organizuese të sipërpërmendura, dënohet me gjobë në masën 80 – 100 mijë lekë dhe me konfiskim të armës së gjahut.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: