Pak orë pasi policia organizoi operacionin “Trekëndëshi” në Vlorë, ku u arrestua një person me tre identitete dhe u shpallën në kërkim dy bashkëpunëtor të tij për planifikimin e një vrasjeje, gazetarja Klodiana Lala informon se shënjestër e atentatit ka qenë Inez Hajrulla, një emër i njohur në Vlorë.

Ndaj tij janë organizuar disa atentate por ka arritur të mbijetojë. Përpjekja për ta eliminuar atë është bërë edhe vitin e shkuar, ku policia arrestoi shtetasin Amarildo Nikolli. Pas arrestimit të tij, një prokuror i SPAK zhvilloi hetime, duke çuar edhe në arrestimin e sotëm të shtetasit, Muharem Koroveshi alias Muharem Ismaili alias Muharem Myftaraj.

Inez Hajrulla ka marrë drejtimin e grupit të Edison Harizajt ose Edison Faqedjegurit, i cili u ekzekutua në Durrës në vitin 2018.

Njoftimi i policisë:

Zhvillohet nën drejtimin e SPAK-ut operacioni policor i koduar “Trekëndëshi”, nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale, me mbështetje të Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Vlorë dhe Tiranë,

Strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un, zhvilluan operacionin policor të koduar “Trekëndëshi”, për ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për 3 shtetas.

Gjatë operacionit, u bë ekzekutimi i urdhrit të prokurorit të Prokurorisë së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shtetasin M. K. alias M. I. alias M. M., 35 vjeç, banues në Vlorë.

Gjithashtu, në funksion të këtij vendimi penal u bë shpallja në kërkim e shtetasve L. Z. dhe E. Z.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin shkurt 2024, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për këta shtetas, pasi dyshohen për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të kryera në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb