Gazetari Erjon Skëndaj foli në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, për situatën e rëndë të krijuar nga koronavirusi në vend. Gazetari Skëndaj tha se Spitali Infektiv po përjeton një mbushje totale prej 14 ditësh, raporton “BalkanWeb”.

“Prej 14 ditësh Infektivi po përjeton një mbushje totale dhe vetëm kur, fatkeqësisht, ndërron jetë ndonjë pacient, futet dikush tjetër. Fakti që spitalet janë të mbingarkuar do të thotë që ka më pak shërbim. Nuk e di si ja del një infermier me 15 pacientë. Unë vë dorën në zjarr që aty shërbimet mbeten mangut për shkak të mbingarkesës. Nuk iu bëhet tamponë personave të kontaktit, as atyre që kanë fjetur me të infektuar në krevat. Gjithashtu, mjekët po shohin që po vijnë në spital pacientë të keqkuruar në shtëpi me deri në 14 ditë. Më vjen keq ta them, por ata shkojnë në spital vetëm për të vdekur”, tha gazetari.

Më tej, gazetari Skëndaj foli dhe për situatën e aktorit të humorit, Koço Devole, duke thënë se prej 7-8 ditësh ndodhet në intubim.

“Koço Devole shkoi në shtëpi, u bë më keq dhe erdhi prapë në spital. Gjendja e tij është shumë keq. Me informacionet që kam ka 7-8 ditë që është i intubuar”, u shpreh Skëndaj.

Së fundi, gazetari iu drejtua me një apel qytetarëve dhe mjekëve, teksa kërkoi që të mos abuzohet me ilaçet nga të dyja palët.

“Mos abuzoni me ilaçet, sepse con në agravimin e situatës së tyre dhe kur shkojnë në spital janë gati në fatalitet. Edhe për mjekët, iu them se ata që abuzojnë me pacientin, është krim. Nuk është koha të jepen receta qindra mijë lekëshe e miliona lekë”, përfundoi gazetari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb