Vllaznia do të përballet me Laçin në “Loro Boriçi” për ndeshjen e javës së parafundit të Superiores. Një sfidë shumë përcaktuese për fatet e vendit të katërt, ku për shkodranët vlen vetëm fitorja, pasi në të kundërt do ta humbisnin këtë pozicion dhe në fund nuk do të luanin as në Kupat e Evropës.

Në prag të këtij takimi, trajneri Goce Sedloski, kërkon maksimumin nga të tijtë, pa parë çfarë bën Teuta në ndeshjen tjetër.

“Kam folur me lojtarët, ata janë shumë pozitivë, shpresoj që të bëjnë atë çfarë duhet dhe ta fitojmë këtë ndeshje. Ne duhet të shohim vetëm veten tonë, ashtu siç bëjnë planet e tyre edhe kundërshtarët tanë. Teuta luan me Egnatian, por unë u kam thënë lojtarëve të mi që të mos ndikohen nga fjalët që qarkullojnë.

Të jenë të fokusuar vetëm te sfida jonë ndaj Laçit. Nuk duhet t’i shohim fare se çfarë bëjnë rivalët tanë, ne duhet të fitojmë dhe kjo është llogaria jonë e vetme që duhet të bëjmë”.

Nga ana tjetër, fitoren e kërkon edhe Laçi, pasi në rast suksesi do të kishte shumë shanse në javën e fundit për të marrë vendin e katërt, teksa në javën e fundit pret Kastriotin. E thënë ndryshe, pritet një ndeshje e luftuar në Shkodër, ku barazimi vlen pak për të dyja skuadrat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb