Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas një vale të gjerë sulmesh ruse me raketa dhe dronë në Ukrainë, në atë që konsiderohet një nga bombardimet më të mëdha të muajve të fundit. Sipas autoriteteve ukrainase, katër nga viktimat u regjistruan në Kiev, ku një ndërtesë 9-katëshe banimi u shemb pjesërisht pas goditjes. Ekipet e emergjencës vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit mes rrënojave, ndërsa ekziston frika se numri i viktimave mund të rritet.
Sulmet gjatë natës goditën kryesisht kryeqytetin Kiev, qytetin qendror Dnipro, si dhe Poltava, Kharkiv dhe Zaporizhzhia në lindje të vendit. Alarmet ajrore u aktivizuan në pjesën më të madhe të territorit ukrainas në orët e para të mëngjesit. Mes të plagosurve raportohet se ka edhe fëmijë, ndërsa dëme të konsiderueshme janë shkaktuar në ndërtesa banimi dhe infrastrukturë civile. Sulmet vijnë vetëm një ditë pasi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi për mundësinë e një ofensivë të re masive ruse. Duke iu referuar informacioneve të inteligjencës, ai u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të reagojnë ndaj çdo alarmi ajror.
“Paralajmërimet e inteligjencës për sulme ruse mbeten në fuqi. Një sulm masiv është i mundshëm, ata e kanë përgatitur një të tillë”, deklaroi Zelensky. Javën e kaluar, Moska paralajmëroi se do të godiste objektiva ushtarake dhe qendra vendimmarrëse në Kiev, duke e paraqitur këtë si kundërpërgjigje ndaj një sulmi ukrainas në Starobilsk. Autoritetet ukrainase pranuan se kishin kryer një operacion në zonë, por këmbëngulën se objektivi ishte një instalim ushtarak rus.
Kievi i ka cilësuar kërcënimet ruse si “shantazh të paturpshëm” dhe ka kërkuar nga aleatët perëndimorë të shtojnë presionin ndaj Kremlinit.
Që prej përfundimit të armëpushimit të shkurtër në muajin maj, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj Ukrainës me raketa dhe dronë. Një nga goditjet më të rënda të javëve të fundit në Kiev shkaktoi 24 viktima, mes tyre edhe tre fëmijë. Ndërkohë, luftimet nuk janë kufizuar vetëm në territorin ukrainas. Një sulm ukrainas me dron në rajonin e Moskës vrau tre persona, veprim që Zelensky e përshkroi si një përgjigje “plotësisht të justifikuar” ndaj bombardimeve ruse.
