Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, sqaroi deklaratën e tij të bujshme të bërë pak kohë më parë se muzika e lartë përhap virusin Covid-19.

I ftuar në emisionin “Real Story”, në News24, ministri Klosi tha se deklarata është keqkuptuar, teksa sqaroi se muzika e lartë krijon probleme, pasi mbledh më shumë njerëz dhe i afron pranë njëri-tjetrin, duke u bërë kështu shkak për përhapjen e virusit të rëndë.

“Për ne që flasim në televizor duhet ta kemi shumë të mirë artikulimin. Muzika e lartë në ambiente të mbyllura krijon probleme, por jo si valë muzike, por që mbledh shumë njerëz. Edhe vala vetë, por jo muzika si notë muzikore, vala përcillet përmes ajrit, si vala e detit që lëviz një top në det. Kjo është logjika e valës dhe unë e kam bërë këtë që në shkollë të mesme. Por njerëzit u morën me muzikën. Mua më erdhi keq, sepse t’i thuash njeriut që muzika të vret, kur ai ka gjithë jetën që dëgjon muzikë. Muzika në vende të mbyllura mbledh njerëz, spërklat lëvizin më shumë, muzika e lartë i bën të afrohen më shumë me njëri-tjetrin”, u shpreh ministri.

Duke u ndalur te situata e krijuar nga koronavirusi, ministri Klosi deklaroi se “Le të ruhemi edhe pak e të shpresojmë se pandemia do të kalojë, do të fillojë të fashitet. Të shpresojmë që vaksina të bëhet me shpejtësi dhe pranvera të jetë shpëtim. Situata është e vështirë aktualisht, por të shpresojmë te lehtësimi. Ka filluar biznesi të gjejë zgjidhje edhe brenda pandemisë, tani kanë dalë edhe testet e shpejta. Po dalin metoda të reja, që do të lehtësojnë lëvizjen. Le të shpresojmë që vendet përreth nesh të lehtësojnë edhe kufirin”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb