KORCE- Ka nisur në Korçë edicioni i 12-të i Festës së Birrës. Qindra, mijëra qytetarë kanë shënuar një pjesëmarrje rekord në natën e parë të çeljes së eventit më të madh festiv të vitit. Ky edicion i Festës së Birrës përkon edhe me 90-vjetorin e birrës së parë shqiptare, asaj me emrin “Korça”.

Atmosfera është ndezur që në natën e parë me ngjitjen në skenë të këngëtarëve dhe grupeve të ftuar. Mbrëmë performuan për publikun Alban Skenderaj, Marsela Cibukaj, Grupi Na, Urban Band dhe Zhuljeta Sheremeni.

Nën tingujt e muzikës, qytetarë të Korçës dhe turistë nga gjithë Shqipëria, por edhe nga jashtë saj, kanë shijuar birrën e freskët “Korça”, si dhe gatimet tradicionale.

Në dy zonat e qytetit ku po zhvillohet Festa e Birrës janë vendosur 13 stenda të birrës “Korça”, të cilat ofrojnë birrë të freskët me krikëll, birrë e një cilësie të lartë, që preferohet edhe nga turistet e huaj që vijnë për herë të parë.

“Unë vij nga Franca, bëra pushimet në Shqipëri. Jam në Festën e Birrës për herë të parë. Të jem i sinqertë është këndshëm këtu, edhe birra është mjaft e mirë. Muzika është e bukur, birra është fantastike, gotën e kam bosh, sapo e piva ishte një birra “Korça”. Qenka një birrë shumë e mirë”, thotë një turist francez.

Ndërsa një tjetër shprehet, “Është hera e parë që vij këtu. Është shumë mirë, ndonëse kam vetëm dy ditë që po vizitoj qytetin. Këtu në festë është shumë bukur, po kënaqemi me muzikë dhe me birrë të mirë “Korça”. Do të qëndroj këtu te 5 netët që do të zhvillohet festa”.

Festa e cila do të zgjasë për 5 net zhvillohet njekohesisht në dy pole të qytetit, pranë stadiumit “Skënderbeu” dhe tek pazari i vjetër i Korçës. Sipas një llogaritjeje paraprake, mbi 20 mijë njerëz morën pjesë në natën e parë të çeljes së Festës së Birrës.

Afirmimi i kësaj feste ka bërë që të jenë të shumtë edhe vizitorët nga qytetet e tjera të Shqipërisë, të cilët zgjedhin të kalojnë këto ditë të hareshme duke shijuar birra “Korça” dhe duke kërcyer në ritmet e muzikës.

Mjaft surpriza pritet të ketë edhe gjatë ditëve dhe netëve në vijim, kur këngëtarë dhe grupe mjaft të njohur të muzikës do të ngjiten në skenë, duke elektrizuar atmosferën dhe ngritur adrenalinën.

“Check in Korca” është motoja e këtij viti. Festa sapo ka nisur dhe ju fton të bëheni edhe ju pjesë e këtij eventi plot energji dhe frymë pozitive, duke bërë gëzuar me një birra “Korça” të ftohtë.

Bashkia e Korçës fton shqiptarët të marrin pjesë në festë me një status plot humor në faqen e saj në “Facebook”: “Festa e Birrës startoi. Dy skena, program fantastik dhe birra lumë. Akoma nuk e ke vendosur të vish? Ti qofsh!!!”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: