Nga: FATMIRA NIKOLLI*TIRANE-Kam lexuar në arkiv emrat e shumë shkrimtarëve dhe artistëve të viteve ’40 në listat e njerëzve të dyshimtë. Është metodë e çdo jete të çdo lloj fashistoizimi. Sot duhet të ruhesh të mos hysh nëpër listat e urrejtshme të partive respektive ose të këmbehesh si plaçke lufte. Procesi ynë i lirisë nuk ka përfunduar ende. Aq i ndërlikuar ka qenë dominimi i një pale kundër palës tjetër”.

Pas botimit nga “Gazeta Shqiptare” të listës me 315 intelektualë të cilësuar si kundërrevolucionar më 1978, një prej tyre, vjen në një rrëfim për jetën nën komunizëm. Poetja Natasha Lako rrëfen ecejaket e dyshimet në Tiranën gri të kontrolleve. Duke risjellë në vëmendje, ngjarje pothuaj të harruara ajo ndan me ne, edhe një ndodhi të 1975-sës. “Rreth vitëve ’75, që shpresoj të mos kenë qenë gjithnjë të së njëjtës amplitude, mua më dërguan në Dyshnik, për një seminar. Duket që isha në proces verifikimi a sqarimi të diçkaje që ende nuk e di se çfarë ka qenë, sepse jo vetëm që nuk kishte seminar, por duhet të bëja sikur nuk po kuptoja gjë dhe të detyrohesha të mos largohesha nga fshati deri sa të më vinte një ditë të më ‘zgjidhte’ vetë shefja e kuadrit, beratësja ime më e tmerrshme”. Mandej, Lako flet për lidhjen e shkrimatrëve, bisedat me Kadarenë e Shuteriqin dhe në fund, thekson se “kjo listë më ngjalli kujtime të mira për shumicën e atyre që përmblidhen aty, bashkë, që i kam njohur shumë pak ose vetëm nga emri. Në përgjithësi gjithë jetën kam pasur në zemër njerëz shumë të mirë”. Ajo shton se në atë kohë nuk fliste me asnjeri pasi nuk i besonte asnjeriu.

Duke mos përmendur emra, Lako thotë se njihte vetëm operativët për njerezit e artit dhe të letërsisë. “Shumë herë, njerëzit që gati i kisha frikë, si ata që më trokistin te dera dhe më paralajmëronin se fëmijët e mi kishin guxuar të shkarravitnin kopertinën e librit ‘Për ju pionierë’ i kam parë aktivistë mjaft të zjarrtë të Partisë Demokratike”- shprehet ajo.

-Në vitin 1978 ju jeni cilësuar si pjesë e grupit kundërrevolucionar, mes 315 intelektualëve. E dinit?
Kam dëgjuar si nëpër tym, deri sa më dërgoi një listë jo kaq të saktë, një i njohuri im. Personalisht them tani si nuk u bëra kureshtare të dija disa të vërteta që kur isha një ndër gratë e para deputete të opozitës shqiptare si kanë bërë shumë të tjerë, që i kanë pasur listat nëpër xhepa. Por përgjithësisht nuk kam qenë e interesuar për të njohur botën e nëndheshme, as atëherë as sot. Megjithatë kur dëgjon fjalën kundërrevolucionar, kupton se edhe ata janë njerëz të zakonshëm. Nga ana tjetër diktaturat për atë krijohen, të të kontrollojnë jetën, në një formë a tjetrën. Në vitin 1976, më ishte komunikuar hapur se nuk duhet të punoja në organet e shtypit, megjithëse kisha mbaruar për gazetari. Ka qenë kurajoja dhe dashamirësia e Vangjush Zallemit drejtor i Kinostudios, që më mori në punë, megjithëse e kishte të qartë karakteristikën time.
Atëherë kam shkruar një poezi për Shtjefën Gjeçovin “Urdhër pune i klasit të tretë”, pasi edhe për mua ishte vendosur se mund të punoja vetëm në ndërmarrje të kategorisë së tretë. Dhe aq e nëpërkëmbur qe për pushtetin Kinostudio sa e kishin vënë në rangun e kësaj kategorie. Që të diferenconin veten sa më shumë prej krijuesve, që dalin tani nëpër këto lista. Tani shoh një grup njerëzish që kanë qenë në qendër të vëmendjes, sikur të kenë qenë kufiri i klonit me gjemba.
Ndërgjegjësimi i shoqërisë për ato sprova që kanë kaluar disa njerëz, që kanë jetuar si në purgator, as do të kryhet ndonjëherë. Sepse është sëmundje shqiptare ta mendosh botën vetëm sipas asaj që ke ndërtuar në kokën tënde, pavarësisht nga faktet që të dalin përpara syve, për të tjerët. Jeta e të tjerëve nuk i intereson askujt, të mos bëhemi edhe tani hipokritë si atëherë, kur jeta e tjetrit po ashtu nuk mund t’i interesonte askujt. Shumica e atyre njerëzve që janë në listë e simpatizonin njëri-tjetrin nga larg. Dëshiroj të kujtoj me këtë rast një njeri që duket sikur është harruar, Vasil Melon, që punonte te revista “Shkenca dhe jeta”, kryetarin e parë të Partisë së të Drejtave të Njeriut, me të cilin bëja rrugën nga shtëpia në punë, pa folur ndonjë gjë të madhe. Më vjen mirë që e kam pranë edhe në këto lista, si edhe shumë të tjerë, miq dhe shokë.
Ndoshta me këtë rast duhet të flasim më tepër për të mirën, se sa për të keqen.
Nuk çuditem nga këto lista të mbushura me muzikantë që nuk flasin në fjalë, por me nota. Nuk çuditem nga kjo fjala kundërrevolucionare, që ma shkruanin përditë në letra që m’i linin në tavolinën parlamentare, edhe kur u bëra deputete. Ishin pak, tri-katër gra që kaluam nga legjislatura e parë pluraliste te tjetra, merre me mend çfarë presione kemi pasur atëherë kur edhe sot ka aq vështirësi për gratë që përballojnë fushatat e egra. Asokohe as i dija që këto lista kishin edhe emrin tim. Tani them se ishin ekspertë edhe në studimin e karakterit të njeriut, kur nuk synonin të të ftonin në ndonjë bashkëpunim, punë profesionale vërtet, përderisa vërtet kanë gjetur se çfarë fshihej edhe në mendje.
E bukura është se askush nuk dëshiron t’i dëgjojë më këto gjëra. Që të ndjehem “konfortable” edhe unë duhet të them. Ç’na duhet të flasim për këto pas kaq vitesh. Madje një opinioni të tërë duket sikur duhet t’i kërkosh të falur se e shqetëson aq me tepër po të jesh emër i dëgjuar. Ngatërrojnë famën me persekucionin. Unë do të doja të flitej më tepër për atë që ka dhënë ky brez, për Lili Cingun, ose për Kozma Novën dhe shumë e shumë të tjerë.
-Pse ju kanë cilësuar si artiste ‘antishtet’?
Më mirë të flasim për ndërtimin teorik. Unë nuk mund t’i di arsyet përse jam përfshirë në këtë listë dhe kush ka qenë më i zellshmi për të më raportuar si kundërrevolucionare. E para, që e bënte pushtetin të të vështronte si armik potencial mendoj ishin “njollat” biografike me të cilat luhej si sot me dosjet e varura të korrupsionit. Ka emra që shoqërohen në këto lista detyrimisht me emrat e baballarëve jo vetëm për t’u identifikuar qartë, pasi ka edhe emra të tjerë pa emrat e baballarëve. Por unë mendoj kryesisht se çdo grua e emancipuar e kohës ishte një armike edhe më e sigurt e çdo regjimi që shuan personalitetin dhe lirinë vetjake, madje ky qëndrim kaq dyshues ndaj çdo gruaje që kishte krijuar personalitet, thekson tiparet e komunizmit oriental. Shihni si sillen sot kundër lirisë së gruas. Mos harrojmë se në vitin 1978, mbizotëronte vala e revolucionit kulturor kinez. Por mbi të gjitha çdo regjim ka frikë nga inteligjenca e vet dhe ka dëshirë ta poshtërojë atë. Aq më tepër gruan.
Nuk besoj se në këto lista të ketë pasur komunistë. Kjo tregon se jetonim në dy kampe krejt të ndryshme. Është diçka që duhet studiuar, sado që do të lëndohen disa. E di edhe pasionin e njerëzve për të hedhur baltë mbi të gjithë.
Kam lexuar në arkiv emrat e shumë shkrimtarëve dhe artistëve të viteve ’40 në listat e njerëzve të dyshimtë. Është metodë e çdo jete të çdo lloj fashistizimi. Sot duhet të ruhesh të mos hysh nëpër listat e urrejtshme të partive respektive ose të këmbehesh si plaçke lufte. Procesi ynë i lirisë nuk ka përfunduar ende. Aq i ndërlikuar ka qenë dominimi i një pale kundër palës tjetër.
Intervisten e plote e gjeni sot ne Gazeta Shqiptare ne print
(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: