Liderët e NATO-s në samitin e tyre në fund të këtij muaji do të miratojnë një paketë të re të ndihmës ushtarake për Ukrainën për të modernizuar ushtrinë e saj.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u adresua në një konferencë për media përpara takimit 2-ditor të shefave të mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s, që përgatitet për samitin e liderëve të NATO-s që do të mbahet më 29-30 qershor në Madrid.

Stoltenberg njoftoi se shefat e mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s sot u mblodhën për një darkë pune me homologët e tyre nga Ukraina, Gjeorgjia, Suedia, Finlanda dhe Bashkimi Evropian (BE) për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit të sigurisë.

Ai theksoi se aleatët e NATO-s janë të përkushtuar për të ofruar pajisje ushtarake për Ukrainën, përfshirë armë të rënda dhe sisteme raketore me rreze të gjatë si dhe të rrisin mbështetjen praktike për vendin dhe partnerët e tjerë në rrezik, përfshirë Bosnjë e Hercegovinën dhe Gjeorgjinë.

Stoltenberg tha se ai pret që liderët e NATO-s në samitin e tyre në Madrid të bien dakord për një “paketë gjithëpërfshirëse të ndihmës për Ukrainën, duke ndihmuar Ukrainën në një afat më të gjatë që të ndryshojë pajisjet e epokës sovjetike në pajisjet moderne të NATO-s.

Ai konfirmoi se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, po ashtu është i ftuar në samit dhe tha se preferon të mirëpresë personalisht liderin ukrainas në vend të lidhjes për videos.

Shefat e mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s, tha Stoltenberg do të diskutojnë kërkesën për anëtarësim të Suedisë dhe Finlandës si dhe “shqetësimet legjitime të Türkiye-s (Turqisë) në lidhje me luftën e tyre kundër grupit PKK dhe organizatave të tjera”.

Takimi, që vazhdon edhe ditën e nesërme, sipas shefit të NATO-s do të trajtojë edhe “nevojën për të forcuar ndjeshëm parandalimin dhe mbrojtjen tonë për t’iu përgjigjur realitetit të ri të sigurisë”.

Siç tha Stoltenberg, ndryshimet do të përfshijnë “më shumë prani, më shumë aftësi dhe gatishmëri të lartë” me më shumë trupa të NATO-s të vendosura në tokë, në ajër dhe në det në krahun lindor si dhe në hapësirën kibernetike.

Liderët e NATO-s pritet të japin ‘dritën e gjelbër’ përfundimtare për reformat në samitin në Madrid.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb