BEOGRAD – Një grup prej 50 nxënësish dhe studentësh nga Serbia nisen sot për një vizitë triditore në Shqipëri, vizitë e organizuar nga Ministritë e Arsimit të të dy vendeve.

“Ata do të ndjekin ndeshjen e futbollit mes Shqipërisë dhe Serbisë në Elbasan dhe do të priten nga kryeministri shqiptar, Edi Rama”, deklaroi ministri serb i Arsimit, Sërgjan Verbiç.

Ministri Verbiç, i cili do të udhëtojë drejt Shqipërisë dhe do të jetë i pranishëm në ndeshje, uroi që gjithçka të shkonte mirë.

“Edhe pse mund të mos duket si e tillë, ne kemi bërë përparime të dukshme në marrëdhëniet dypalëshe mes Serbisë dhe Shqipërisë”, – theksoi Verbiç duke shtuar se ideja e një vizite në Shqipëri nuk ishte e re.

Nxënësit dhe studentët do të vizitojnë Shqipërinë si pjesë e marrëveshjes mes Beogradit dhe Tiranës për krijimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor, që u njoftua në gusht nga kryeministrat respektivë, Aleksandar Vuçiç dhe Edi Rama.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb