PSG shkruan historinë, bëhet ekipi i parë francez që prek për herë të tretë finalen e Champions League. Sheikët e Parisit rikthehen për herë të dytë radhazi në finalen e Champions, diçka që nuk ndodhtë që nga sezoni 2018/19, ku Liverpool bënte të njëjtën gjë. Jo vetëm PSG, për herë të tretë në një finale Champions udhëton edhe Luis Enrique, pa diskutim arkitekti i këtij ekipi fantastik. Tekniku spanjoll nuk i fshehu emocionet për këtë arritje të madhe:
“Zhvilluam një ndeshje me një intensitet të lartë, këtë herë mbrojtja ishte më e mirë se sa sulmi. Treguam karakter kundër një ekipi të madh. Jemi shumë të lumtur që për herë të dytë radhazi shkojmë në finalen e Champions League. Finalja me Arsenal? Jemi shumë të lumtur, tani ka mbetur dhe një hap i fundit, dëshirojmë t’i bëjmë tifozëve tanë një tjetër dhuratë”, u shpreh Luis Enrique.
Shumë i lumtur për këtë arritje të madhe u shfaq edhe presidenti i PSG, sheiku Al Khelaifi, me këtë të fundit që fillimisht i thuri elozhe trajnerit të tij, Luis Enrique: “Jemi me fat që kemi një trajner si ai, është pa diskutim trajneri më i mirë në botë. Është një ndjesi fantastike të jesh sërish në finale. Ne po shkruajmë historinë e PSG, tani kërkojmë edhe yllin e dytë”, u shpreh Al Khelaifi.
Sipas UEFA-s, lojtari i ndeshjes ishte Willian Pacho, por për tifozët një paraqitje fantastike dhuroi Khvicha Kvaratskhelia i cili ndaj Bayern Munich dhuroi një tjetër asist, i 7 asist/gol në një sezon të vetëm në sfidat me eliminim direkt. Ylli gjeorgjian, pasi eliminoi Bayern tani kërkon edhe trofeun:
“Jam shumë i lumtur që rikthehem sërish në finale. Mendoj se ndaj Bayern ishte ndeshje më e vështirë e këtij sezoni, kundër një prej ekipeve më të mira në botë për momentin. Ndaj Arsenal do të jetë e vështirë, është një finale Champions. Ne i respektojmë të gjithë ekipet, por e rëndësishme është të zhvillojmë lojën tonë”, u shpreh Kvaratskhelia.
