Si ish-aleat i Ramës në opozitë, pjesëmarrës gjithashtu në protestën e 21 janarit, kreu i PDK flet me tone të ashpra ndaj kryeministrit Rama, për të cilin thotë se mbetet një burracak që nuk u ngrit asnjëherë në nivelin e një burri shteti.

“Me PS kemi qenë pjesë e një opozite të përbashkët. Unë kam qenë më 21 janar me PS në protestë, për standardet për zgjedhjet, që këto Rama i shkeli me këmbë. Unë shoh edhe sjelljet e dy liderave në të dy protestat. Edhe protestën që ne bëmë kundër qeverisë së z.Berisha në atë kohë me z.Rama edhe sjellja e asaj kohe të jep një shije të hidhur. Unë kam besuar gjithmonë dhe kam shpresuar që z.Rama nuk do ti përsërisë ato gabime që janë bërë më parë, edhe në hapësirat që lejon për të protestuar.

Nuk është se ne protestuam të lirë edhe në atë kohë e provuam trysninë e pushtetit dhe mendoja në çdo moment kur shikoja z.Rama të strukur diku në atë protestë që kaloi në protestë të dhunshme përballë policisë së shtetit lideri i opozitës është institucion, dhe nuk duhet të provojë trysninë e shtetit. Garancia më e madhe për sistemin është opozita. Ndërsa sot z.Rama duke u ndodhur në pozita të tjera, që ka përgjegjësinë e pushtetit, gjithmonë e mendoja që do të ketë një tolerancë, ky po bën krejt të kundërtën, madje po e tejkalon edhe z.Berisha edhe arrogancën që ka përdor ai pushtet përpara, duke përdorur gazin lotsjellës. Këto janë shenja të agonisë të z.Rama” u shpreh më tej Ndoka, ndërsa e shpreh se e vetmja rrugë për të rrëzuar Ramën nga pushteti janë protestat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb