TIRANË– Të gjithë ata qytetarë të cilët do të ndërtojnë pa leje, do të përfundojnë në burg. Kush ndërton shtëpi në tokën e tjetrit do të dënohet me burg nga 1 deri në 5 vjet. Kush ndërton për qëllime përfitimi nga 2 deri në 8 vjet burg. Komisioni i Ligjeve ka miratuar këto ndryshime në Kodin penal, ku dhe ndërtimi pa leje dhe në tokën tënde dënohet me deri 1 vit burg.
Projektligji me vetëm dy nene, i miratuar sot nga komisioni parlamentar i Ligjeve propozon keto ndryshime në Kodin Penal, që synojnë ashpërsimin e dënimeve ndaj personave që cënojnë regjimin juridik të tokës.
NDRYSHIMET E PROPOZUARA NË KODIN PENAL

NENI 1

Në kreun III, “Vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike”, emërtimi i seksionit XI, “Vepra penale që cenojnë regjimin juridik të tokës”, ndryshohet dhe zëvendësohet me “Vepra penale që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve”.

NENI 2

Neni 199/a ndryshohet, si më poshtë vijon:

Neni 199/a

Ndërtim i paligjshëmNdërtimi apo punimi i kryer pa leje, në shkelje të lejes ose në kushtet e një lejeje të shfuqizuar dhe në tokë të vet, dënohet me burgim deri në një vit.

Po kjo vepër, e kryer për qëllime fitimi, në tokën publike ose shtetërore apo në tokën e tjetrit, dënohet me burgim nga dy

deri në tetë vjet. Dispozitat e këtij neni zbatohen sipas rastit edhe ndaj pronarit të ndërtimit, sipërmarrësit, mbikëqyrësit dhe zbatuesit të punimeve.

NENI 3

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Gjithashtu, këto masa ndëshkuese propozohet që të shqyrtohen nga një trupë me 3 gjyqtarë, ndryshe nga sa ndodh deri më sot që merren në shqyrtim nga një gjyqtar i vetëm. Kjo do të minimizonte mundësitë për të ndikuar në masën e dënimit.
E veçanta e propozimeve nga qeveria konsiston dhe në faktin e ndëshkimit për herë të parë të gjithë zinxhirit të personave që mundësojnë kryerjen e një ndërtimi të paligjshëm, në sajë të financimit, të aftësive intelektuale apo të tjera specifike që duhen për të ekzekutuar një ndërtim a punim.

(d.b/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb