NGA MARIGLEN MERTIRI

TIRANE– Ndryshojnë rregullat e pranimit të maturantëve në institucionet e arsimit të lartë. Ministria e Arsimit pritet të firmosë një udhëzim për të përmbledhur propozimet e universiteteve që maturantët të kenë mundësi të çregjistrohen nga dega e parë e fituar dhe procesi të mbyllet para shtatorit.

Këtë e bën të ditur dekani i Fakultet të Ekonomisë, Dhori Kule, i cili pohon se këto jo vetëm janë propozime, por janë edhe e drejtë e vetë universiteteve mbështetur në ligjin e ri për të ndryshuar kriteret e pranimeve, në mënyrë që studentët të studiojnë atje ku dëshirojnë.

Në funksion të studentëve, ky fakultet ka zhvilluar “Ditën e karrierës”, ku mbi 50 kompani ishin në dispozicion të studentëve për të vendosur kontaktet për punësim, praktika pune dhe vijimin e studimeve. Këtë nismë e mbështeti edhe Ministria e Arsimit.

Nikolla pohoi para studentëve se universitet do të kenë kurrikula dhe mësimdhënie të re duke ju afruar programeve ndërkombëtare për nga cilësia.

Maturantët do të kenë mundësi të çregjistrohen nga fakultetet nëse fitojnë një tjetër degë gjatë garës për pranimet në universitet. Ky rregull i ri pritet të certifikohet nga Ministria e Arsimit pas propozimeve dhe vendimmarrjeve të universiteteve. Një tjetër ndryshim është edhe afati i nisjes së procedurave, i cili pritet të fillojë në muajin korrik dhe të mbyllet në një afat kohor më të shpejtë.

Këto ndryshime u bënë të ditura nga dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule gjatë aktivitetit për ditën e karrierës në këtë fakultet.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb