NGA ORNELA MANJANI

TIRANE- Ministria e Financave ka shpërndarë për diskutim një projektudhëzim për rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar. Përveç shkurtimit të kohës së rimbursimit të TVSh-së, propozohet që pagesa për biznesin të kryhet në bazë risku, pas një kontrolli të organeve tatimore në biznes për verifikimin e situatës ekonomike. “Personi i tatueshëm në përputhje me kushtet e përcaktuara në nenin 77 të Ligjit për TVSH-në ka të drejtë të kërkojë rimbursimin e TVSH-së nëpërmjet kërkesës për rimbursim. Gjithashtu, me kërkesën për rimbursim përcaktohet shuma që do të kalojë për kompensim të detyrimeve tatimore të papaguara, nëse ka të tilla, përveç detyrimeve për sigurime shoqërore dhe shëndetësore, si dhe shumën që do t’i rimbursohet nëpërmjet Thesarit”, thuhet në projektudhëzim.

Sipas dokumentit, drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, nëpërmjet strukturave përkatëse të administratës tatimore, brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për rimbursim dhe 30 ditëve për tatimpaguesit eksportues kryejnë procedurën e rimbursimit sipas këtij udhëzimi dhe miraton tepricën e TVSH-së së zbritshme si të rimbursueshme.

“Kur është e nevojshme, sipas analizës së riskut Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së, e cila shqyrton kërkesën për rimbursim si dhe kryen të gjithë procedurën e rimbursimit i kërkon Drejtorisë Rajonale Tatimore përkatëse të ushtrojë kontroll tatimor përpara miratimit të shumës së rimbursueshme”, thuhet në urdhër. Gjithashtu, është përcaktuar që shuma e detyrimit tatimor, e detyrueshme për t’u paguar, ose shuma e tepricës së kredisë, sipas deklaratës tatimore, me vlerë deri në 100 njëqind lekë, vlerësohet si detyrim ose kredi me vlerë zero dhe për shuma të tilla nuk bëhet vlerësim tatimor nga administrata tatimore.

Kërkesa pa risk
Nëse kërkesa për rirmbursim konsiderohet pa risk, atëherë procedohet me miratimin e rimbursimit dhe kryerjen e procedurave të pagesës nëpërmjet sistemit të Thesarit. Drejtoria e rimbursimit të TVSH-së në DPT përgatit për tatimpaguesin njoftimin zyrtar bashkëngjitur këtij udhëzimi, një kopje të së cilës ia dërgon degës së Thesarit elektronikisht ose nëpërmjet shërbimit postar dhe vijon me procedurën për rimbursim nëpërmjet Thesarit.

Kërkesa me risk
Nëse kërkesa për rimbursim rezulton me risk për rimbursim, Drejtoria e Rimbursimit të TVSH-së në DPT e dërgon në Drejtorinë Rajonale, ku është regjistruar tatimpaguesi për kontroll nga zyra ose kontroll në vend para se të rimbursohet. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, për shkaqe të arsyeshme, me kërkesë të drejtorit të Drejtorisë Rajonale Tatimore, ka të drejtë të shtyjë afatin e kontrollit dhe miratimit të tepricës kreditore për një tatimpagues deri në 60 ditë. Pas përfundimit të kontrollit nga zyra ose kontrollit në vend, nxjerrjes së rezultateve përfundimtare, ku saktësohet shuma e TVSH-së për t’u rimbursuar dhe mbas kryerjes se kompensimeve të nevojshme në përputhje me ligjin. Raporti përfundimtar i kontrollit i përcillet Drejtorisë së rimbursimit të TVSH-së në DPT, e cila njofton tatimpaguesin dhe degën e Thesarit, duke vijuar me procedurën për rimbursim nëpërmjet Thesarit.

(b.e/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb