Mbi denigrimin e deputetëve nga veza dhe domatja
Pasi votuan për të shkatërruar portet e Shqipërisë duke u ngarkuar qytetarëve shqiptarë një faturë mbi 2 miliardë euro, që dikush të fitonte para;
Pasi shtynë 7 herë ligjin për investimet strategjike për të grabitur çdo copë të Shqipërisë;
Pasi kanë bllokuar me votë dhe me ndërgjegjen e tyre të plotë çdo kërkesë të drejtësisë për heqje imuniteti ndaj zyrtarëve të lartë nën hetim apo nën akuzë;
Pasi në 14 vjet nuk kanë rrëzuar asnjë nismë apo projektligj të qeverisë, që bie ndesh me interesin publik; (edhe Papa i Romës do kishte bërë ndonjë gabim në 14 vjet)
Pasi janë shndërruar në një instrument robotik i programuar për të zbatuar vetëm dy detyra;
1-Ngritjen e kartonit për çdo nismë perverse dhe korruptive të qeverisë
2-Mbrojtjen e shefit publikisht dhe vërsuljen ndaj kujdo që kritikon shefin e madh;
Pasi në 14 vjet kanë ligjëruar çdo grabitje të madhe, e të vogël të qeverisë dhe klientëve të saj;
Pasi, pasi, pasi….;
Sot po ngrenë shqetësimin e madh kombëtar se goditja me vezë, miell dhe domate po denigron figurën e deputetëve dhe zyrtarëve të lartë të vendit.
Po kush e diskreditoi figurën e deputetit dhe ministrit në Shqipëri? Domatja dhe veza tek xhami i makinës apo këto më sipër? I ndjeri Vasillaq Vangjeli e pati thënë shumë bukur njëherë; a prishet veza e prishur?
Kjo protestë në 35 ditë ka patur vetëm dy episode të shëmtuara, që duhen dënuar me forcë. Goditja e një oficeri të policisë me gur në kokë para Parlamentit dhe sulmi ndaj komisariatit një ditë më parë.
Ishin njerëz të infiltruar apo ishin një grusht protestuesish të etur për dhunë në mes qindra mijëra qytetarëve model kjo pak rëndësi ka. Ajo që është e rëndësishme është fakti se çdo qytetar dhe protestues duhet te distancohet dhe t’i dënojë me forcë ato dy akte, ndërsa ata që i bënë apo i organizuan duhet të japin përgjigje para ligjit.
Por mielli dhe domatja nuk janë problemi. Përkundrazi!
Shqipëria kishte rënë në një situatë tragjike, ku për një dekadë qeveria ka qeverisur pa asnjë gram frikë se mund të humbiste pushtetin. Kjo për shkak të korruptimit të sistemit që mundëson rotacionin në demokracitë e lira dhe për shkak të dobësisë, mëkateve apo dhe kompromentimit të opozitës.
Imagjinoni se çfarë bën një pushtet absolut, i cili qeveris për një kohë kaq të gjatë pa më të voglën frikë se do ta rrëzonin. Në fakt nuk ka nevojë fare të imagjinohet, por mjafton të shikohet se çfarë kanë bërë realisht.
Kur shkatërron demokracinë, kur shkatërron institucionet, kur i fut gjithë kohën thikën pas alpine interesit publik, atëherë opozita bëhet veza dhe domatja.
Kështu që deputetët dhe ministrat nëse nuk duan vezët, domatet apo të përballen me qytetarët e zemëruar, të mendohen mirë kur të ngrenë kartonin. Kaq.
