Drejtuesi i Departamentit të Sigurisë së Berishës, Avenir Peka ka bërë sot bilancin e kronikës së zezë të dy ditëve, teksa ka akuzuar ministrin e Brendshëm Taulant Balla se ka ardhur në detyrë si koordinator i përgjithshëm i krimit,-për t’i ushqyer këto lidhje dhe jo për t’i shkatërruar ato.

Peka tha se 3 të vrarë dhe 5 të plagosur në 36 orë, në Koplik, Dukagjin, Rrëshen e Durrës, janë pasqyra e ftohtë e krimit që ka pllakosur territorin.

“Këmbimi i Bledi Çuçit me Taulant Ballën nuk ka ndryshuar asgjë për rendin, sigurinë dhe qetësinë publike në Republikën e Shqipërisë. Për faktin se ka qenë vetëm një ndërrim emrash, aspak shkëputje e lidhjeve të krimit me shtetin në pushtetin e Edi Ramës.
Pasqyra e kronikës së zezë të 36 orëve të fundit e dëshmon këtë më qartë se çdo denoncim i opozitës apo fjalim krenarist i qeverisë për suksese imagjinare në luftën kundër krimit.
3 të vrarë dhe 5 të plagosur në 36 orë, në Koplik, Dukagjin, Rrëshen e Durrës, janë pasqyra e ftohtë e krimit që ka pllakosur territorin. Këto 3 të vrarë e çojnë në 21 numrin e viktimave gjatë vitit 2023”, deklaroi Peka.

Ai theksoi se këta janë faktet, numrat, të vdekurit, të plagosurit dhe pas tyre gjithë ata të afërm e të njohur që i vajtojnë.
“Kjo janë tabloja tronditëse e qyteteve dhe fshatrave tona, ku shqiptarët shohin skena vrasjesh dhe ndihen në pasiguri për jetën.
Në anë tjetër, ajo që ndiqni çdo ditë në TV janë mburrjet e ministrave dhe kryeministrit për rendin, sigurinë, turizmin dhe jetën e lumtur në Shqipërinë e Rilindjes.
Një mal me gënjeshtra që përgënjeshtrohet nga rrëketë e gjakut që rrjedhin rrugëve të vendit.
Shqiptarët tashmë pakësohen nga vrasjet dhe ata që mbesin ikin ku t’u prijë dëshpërimi dhe frika.
As zgjedhjet nuk provojnë më zgjidhje sepse, shqiptarët sa më shumë skandale bëka qeveria, aq më shumë e votokan”, tha ai.

Peka deklaroi se Partia Demokratike sensibilizon opinionin publik për të vërtetën, duke theksuar se për të kuptuar se pse krimi hedh valle, shihni zbardhjen e dosjes “Metamorfoza”.

“Sepse shteti është në shërbim të krimit. Sepse policia punon me Bajrët dhe me bandat si ata në të gjithë vendin.
Sepse Taulant Balla ka ardhur në detyrë si koordinator i përgjithshëm i krimit,-për t’i ushqyer këto lidhje dhe jo për t’i shkatërruar ato.
Me këto lidhje me krimin dhe paratë që dalin prej saj, hidhen themelet e vjedhjes së zgjedhjeve. Me zgjedhje të vjedhura shteti nuk jep llogari te qytetarët dhe kriminelët nuk pyesin për shtetin. Ata janë bashkëaksionerë në qeveri”, u shpreh Peka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb