Shpërthime u dëgjuan herët të mërkurën në tre rajone ruse në kufi me Ukrainën, njoftuan autoritetet lokale dhe media shtetërore ruse.

Zjarri në depo në Belgorod: Shpërthimi u pasua nga një zjarr në depon e municioneve në fshatin Staraya Nelidovka, rreth 10 milje në veri të kufirit me Ukrainën, tha guvernatori rajonal Vyacheslav Gladkov në Telegramin e tij të mërkurën. Ai shtoi se “nuk ka pasur viktima në mesin e civilëve”.

Shpërthime në Kursk: Në rajonin e Kursk, banorët “dëgjuan shpërthime” rreth orës 2:45 të mëngjesit me orën lokale. Guvernatori, Roman Starovoyt, tha se detajet rreth shpërthimeve janë ende “duke u sqaruar”, por se nuk kishte viktima apo shkatërrime.

Shpërthimet në Kursk vijnë vetëm dy ditë pasi dy dronë ukrainas u rrëzuan nga ekuipazhet ruse të mbrojtjes ajrore në fshatin Borovskoye të rajonit, sipas Starovoyt.

Në Voronezh: Dy goditje të forta u dëgjuan nga banorët në lagjen Shilovo të qytetit rus Voronezh në orën 4:40 të mëngjesit, sipas medias shtetërore ruse TASS, duke cituar autoritetet.

“Një ekip i mbrojtjes civile dhe reagimit emergjent dhe një ekip i Ministrisë ruse të Emergjencave janë aktualisht në vendin e incidentit. Një zyrtar i Komitetit Hetues është gati të mbërrijë,” tha një zyrtar i mbrojtjes civile dhe emergjencave të qarkut për TASS.
Voronezh ndodhet afërsisht 200 milje nga kufiri ukrainas dhe është një qendër kryesore ushtarake dhe transporti.

Zyrtarët rusë kanë akuzuar vazhdimisht Ukrainën për sulme ndërkufitare ndaj depove të karburantit dhe instalimeve ushtarake, pretendime për të cilat agjencitë e qeverisë ukrainase thonë se synojnë të nxisin “ndjenjën anti-ukrainase”.

CNN nuk mundi të konfirmonte në mënyrë të pavarur se nuk kishte dëme në ndërtesa banimi, ose se nuk kishte viktima civile pas shpërthimeve të së mërkurës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: