Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me kërkimet për kapjen e biznesmenit turk Faruk Ozer, i cili rezulton të jetë i shpallur në kërkim për mashtrim.

Policia e Shtetit ka ndërmarrë një operacion të gjerë në kryeqytet dhe në disa qytete të tjera me qëllim arrestimin e biznesmenit turk. 27-vjeçari Ozer është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet policore turke dhe nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në Lyon pasi rezulton i dyshuar për mashtrim në shtetin turk nëpërmjet valutës elektronike bitcoin që kap vlerën rreth 2 miliardë dollar.

Burime nga Policia e Shtetit bëjnë me dije për gazetaren e ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Dorjana Bezat se Faruk Ozer rezulton të jetë futur në Shqipëri nga pika e kalimit kufitar të Rinasit më 20 prill të këtij viti.

Nga ana e tij, Faruk Ozer mohoi akuzat në një deklaratë në Twitter. Ai tha se kompania ishte në shënjestër të një fushate shpifjesh. Sipas tij, kompania pezulloi përkohësisht aktivitetin, pasi llogaritë treguan një aktivitet të pazakontë për shkak të një sulmi kibernetik. Ozer gjithashtu tha që pretendimet se paratë ishin zhdukur ishin të pavërteta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb