Vëlla e motër janë përplasur sot në emisionin “Me zemër të hapur” në News24 për shkak të problemeve familjare, në qendër të të cilave qëndron pensioni i nënës së tyre.
Harrilla Kalaja është 51 vjeç dhe vjen nga një fshat i Fierit. I martuar prej shumë vitesh jeton së bashku me 3 fëmijët, vëllain me probleme shëndetësore dhe nënën e moshuar e të paralizuar. Ai thotë se jetojnë në kushte tepër të vështira, përveç kësaj i duhet të kujdeset edhe për dy pjesëtarët e sëmurë në familje.

Prej disa kohësh kanë filluar konfliktet me motrën e cila merr pensionin e nënës. Kjo është bërë shkak që ai të debatojë edhe me bashkëshorten pasi kjo e fundit e ka akuzuar se nuk do as nënën e tij duke e kërcënuar edhe me ndarje. Harrilla i bën apel motrës të kthej pensionin e marrë padrejtësisht pasi jeton në kushte të vështira dhe ato të ardhura për të janë të domosdoshme.

“Unë erdha për një zemër më të madhe. Dua një mbështetje nga të gjithë shqiptarët. Shtëpia po më rrëzohet. Më ka ardhur një faturë mujore 80 mijë lekë. Ku do kërkoj një mbështetje? Jetoj me nënën dhe vëllain e sëmurë. Me bashkëshorten kemi 16 vite martesë. Për vëllain e sëmurë kam 20 vite që kujdesem, kam harxhuar shumë pas tij nëpër spitale. Janë dy invalidë në shtëpi. Nuk kam afrimitet nga shteti, as nga motrat. Ai do ilaçe, bebelina. Një natë e lashë nënën pa ngrënë, më tha gruaja: ti s’do nënën tënde, më do mua? Si t’ja bëj? Kam kërkuar kujdestari. Unë kujdesem për të sëmurët. Gruaja i lan dhe i shpëlan. E kam çuar në Vlorë vëllain se kaloj kriza. Atje kërkova ndihmë. Si t’ia bëj një njeri i vetëm? Vëllai mjekohet. I blen, sepse ato me rimbursim nuk kanë efekt. E çova në Vlorë. Doktoresha e Vlorës më tha do ia blesh ilaçet, se këto me rimbursim nuk bëjnë efekt. Unë jam vet i pesti në një dhomë. Kalamajtë flenë lart në krevat unë në dysheme. Motrat nuk kujdesen për nënën. Vijnë një herë në muaj. Njëra ka dy vjet pa ardhur. Unë kam detyrim ndaj nënës. Ku ta çoj? Kur shkova në Komunë nëna ishte e ndarë nga trungu familjar. Atë se dija, isha i çuditur. Kjo është bërë për interes pensioni dhe toka. E kam diskutuar me motrat dhe iu kam thënë: unë duhet t’i blej ilaçe, bebelina dhe ushqime. Ajo me 10 mijë lekë pension. Nëna ia ka dhënë të drejtën vajzës për pensionin. Ajo ka kaluar në depresion. Turpi është te mua, jo te motra. Unë e kam nënë dhe nuk i takon vajzës ta mbajë atë. Unë lehtësohem nëse e marrin nënën”, tha Harilla.

Ndërsa Valentina, e motra që tërheq pensionin e nënës në një lidhje telefonike akuzoi vëllain e saj se nuk kujdeset për dy të sëmurët. Ajo deklaroi se pensionin e tërheq për t’i blerë ilaçe nënës.

“Ai që ka ardhur aty nuk duhet të kishte ardhur. Vërtetë që unë e marr pensionin e mamasë, por e marr me lejen e saj. Nuk e mohoj që ai është fukara, por nuk ia kam fajin unë. Unë i kam arritur gjërat me djersë dhe punë. Kur ka qenë mamaja e sëmurë kam qëndruar me të në spital dhe e kam mbajtur një muaj në shtëpi. I kam blerë ilaçe dhe e kam çuar në shtëpi të shëruar.
Vëllai e merr vetë kempin. Nëna dhe vëllai rrinë në atë familje. Kur kam marrë kempin e vëllait të sëmurë gjashtë muaj dhe si dilte kempi e kam mbajtur në shtëpi. Vëllai i madh nuk kujdeset mirë për ta. Mamaja nuk do të vijë te unë. Kur mamaja të rrijë pa ilaçe, kush do mbajë përgjegjësi?! I kemi blerë ilaçe. Çfarë kërkoni nga unë? A i ka blerë ndonjëherë ilaçe nënës dhe vëllait? Kur e ka bërë prokurën nëna ka qenë e aftë. Ai mendon se unë ia kam me hile dhe ia marr lekët nënës. Në atë shtëpi janë shumë gjera së prapthi. Vëllait të vogël pse i tha se s’ka fonde shteti dhe mbeti pa ilaçe. E la pa dokumente dhe ilaçe. Deri në fund do ta ndjek këtë çështje”, tha e motra.

Harrilla i dha një mesazh më tej gruas së tij, e cila bashkë me të kujdeset për dy të sëmurët. “Bashkëshortes i them të ketë durim. Një zgjidhje do e gjejmë”, u shpreh ai.
Ndërkohë bashkëshorti i Valentinës tha se ne pensionin ia kemi dhënë personave të duhur. “Edhe ushqime i kemi çuar. Po në spital kush i ka ndenjur? Harilla mbase do të marrë lekë nga shteti. Ne kemi bërë shumë”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb