Juliana Gorja, një mjeke shqiptare që jeton dhe punon në Toronto, Kanada ka folur për situatën në këtë vend në një lidhje ‘Skype’ me News24. Ajo tha se krahasuar me disa vende si Italia, Spanja apo New York-u në Kanada situata me pandeminë është menaxhuar relativisht mirë dhe spitalet kanë ende kapacitete. Por nga ana tjetër ajo foli për ankesa nga personeli shëndetësor për mungesën e pajisjeve mbrojtëse.

“Për sa i përket numrave, shifrave në Kanada deri sot kanë rezultuar me COVID 52 236 njerëz, mbi 3 mijë kanë humbur jetën dhe nga viktimat, gati 80% janë mbi 70 vjeç. Deri tani në Kanada janë mbi 21 mijë njerëz të shëruar dhe pjesa tjetër janë raste aktive.
Në Toronto kemi 5550 njerëz pozitivë, 336 viktima, 3400 janë shëruar.
E mira është relative po qe se do ta krahasonim gjendjen këtu me situatën tragjike që u krijua na Itali, Spanjë, Ëuhan apo Neë York është mirë. Ne u përgatitëm në mars për një fluks të shtuar por falë masave, distancimit social, piku u parandalua dhe arritëm ta sheshojmë kurbë, të mos e kemi aq të lartë si në Itali, Spanjë apo në SHBA. Në këtë kuptim quhet që është menaxhuar mirë. Po të futesh në detaje ka gjëra që mund të ishin menaxhuar më mirë.
Po të pyesësh mjekët kanë ankesa për mjetet mbrojtëse. Në Ontario janë 2200 personel shëndetësor të prekur, nga këta 3 kanë humbur jetën. Situata është menaxhuar, janë dislokuar infermierë nga qendra që janë më pak të infektuar tek zonat e infektuara. Në Quebec qeveria ka nisur ushtrinë”, deklaroi mjekja shqiptare.

Sa i përket qendrave të kujdesit për të moshuarit ajo tha se tani konsiderohen fronti i parë.
“Në fillim të pandemisë të tërë sytë u kthyen nga shërbimi spitalor, i gjithë interesi. Në Ontario janë mbi 2000 rezidentë të këtyre qendrave të prekur. Ky konsiderohet fronti i parë, nuk është më spitali por këto qendra të kujdesit”, tha ajo.

Në lidhje me medikamentet që janë përdorur mjekja Gorja tha se nuk ka një kurë për COVID-in por janë përdorur protokolle të ndryshme nga spitale të ndryshme.
“Mjekimet janë në fazë eksperimentale. Nuk ka kurë për COVID-in është më kollaj ta parandalosh se ta kurosh. Janë 4 ilaçe, që nga antiviralë për ebolën, antimalarikë, antiretroviral dhe antibiotikë të tjerë. Protokollet që po ndiqen janë në bazë të një studimi ndërkombëtar që po drejtohet nga OBSH. Shumë shtete janë futur në këtë studim, edhe Kanadaja kështu që po eksperimentohet me protokolle të ndryshme. Spitale të ndryshme po përdorin protokolle të ndryshme. Nuk ka asnjë të dhënë për efikasitetin e këtyre ilaçeve në mortalitet apo morbilitet”, tha mjekja shqiptare.

Në lidhje me karantinimin, ajo tha se nuk jemi të izoluar nga ana shoqërore por nga ana fizike. “Nuk mund të shkojmë tek njeri-tjetri por komunikojmë. Ajo që të kanë ndihmuar më parë në përballimin e një sëmundje të ndihmon dhe tani, që nga leximi, komunikimi me njerëzit, të qenit i zënë me një aktivitet tjetër. Njerëzit duhet të shkëputen dhe ta kenë me orar aksesin në internet. Informacionin për COVID-in duhet ta marrin vetëm në burime zyrtare”, u shpreh ajo.

Sa i përket izolimit, mjekja Gorja theksoi se ‘në qoftë se jeni në shtëpi, rreziku për të marrë COVID është zero. Nuk duhet të shqetësoheni fare. Të qenit në shtëpi është një çmim fare i vogël për t’u paguar për të qenë lirë.’.

Në lidhje me masat në Kanada ajo tha se njerëzit dhe bizneset i respektojnë distancat fizike dhe se gjobat janë të larta. “Ndërrojnë rrugë nëse është dikush që po kalon në një anë të trotuarit. Shkojnë rrallë në dyqan. Gjobat janë të larta për ata që nuk i zbatojnë rregullat. Fakt është që ka pasur përgjigje shumë të mirë në komunitet për masat e qeverisë dhe falë tyre nuk kemi përjetuar atë situatë që ka ndodhur në mjaft vende të tjera”, u shpreh ajo.

Mjekja tha se deri më 30 maj shkollat janë të mbyllura dhe se pas 30 majit presim vendime të tjera. Ndërsa përjashtim bën Quebecu i cili ka deklaruar se do t’i hapë shkollat këto dy javë.

Por a do ta ndryshojë mënyrën e jetesës kjo pandemi? Mjekja shqiptare thotë se do të ketë një normalitet të ri.
“Nuk dihet sa do zgjasë. Nuk dihet nëse imuniteti tek njerëzit që e kanë kaluar do jetë i përhershëm. Deri sa të dalë vaksina, nuk do kemi një normalitet si ai më para. Do ketë distancim. Dasmat e funeralet nuk do bëhen siç janë bërë. Bizneset do kryejnë çfarë të munden në mënyrë online për të ulur kontaktin midis njerëzve. Jeta që kemi përpara do jetë shumë ndryshe nga ajo që kemi lënë pas”, tha ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb