TIRANE- Parku Rinia është shndërruar sot në një skenë gjigante vallëzimi. Në ditën Ndërkombëtare të Vallëzimit, Bashkia Tiranë, nën kujdesin e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Promovimit të Qytetit, ka organizuar sot Maratonën e Vallëzimit, e cila ka nisur në orët e para të ditës dhe për të përfunduar në mbrëmje. Qindra nxënës nga 16 shkollat e Tiranës, koreografë dhe balerinë profesionistë, të pasionuar pas kërcimit dhe qytetarë të ndryshëm kanë performuar për orë të tëra në disiplina dhe grupmosha të ndryshme, duke sjellë një atmosferë festive dhe të gëzueshme të gëzueshme për të gjithë qytetarët që kanë ndjekur nga afër këto aktivitete.

Qëllimi i maratonës së vallëzimit, ishte jo vetëm organizimi i aktiviteteve argëtuese për qytetarët e Tiranës, por edhe nxitja qytetarëve, sidomos fëmijëve dhe të rinjve, për jetë aktive dhe aktivitete rekreative në natyrë. Ky aktivitet u ndoq edhe nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Abaz Hado, i cili theksoi se Bashkia ka mundësuar edhe Tirana të festojë dhe të vallëzojë ashtu si shumë kryeqytete të tjera të Europës që iu janë bashkuar aktiviteteve me rastin e Ditës ndërkombëtare të Vallëzimit.

“1600 fëmijë prej disa orësh kanë ardhur të kërcejnë dhe do të vijojnë deri në orët e vona të mbrëmjes. Ky aktivitet është për të treguar që Tirana duhet jetë një qytet që gëzon, ku kërcehet, ku festohet. Gjithashtu përmes këtij organizimi tregohet se Tirana është një qytet i bukur sepse edhe njerëzit, edhe Bashkia e Tiranës, mendojmë që ta kthejmë Tiranën në një qytet atraktiv, në qytet, i cili meriton që qytetarët e saj, fëmijët e saj, të gëzojnë, të tregojnë talentin e tyre”, u shpreh Hado.

Më tej, ai theksoi se Bashkia e Tiranës është e vendosur që t’i japë qytetit më shumë mundësi për të festuar dhe argëtuar jo vetëm në ditët e shënuara, por edhe me organizimin e aktiviteteve që synojnë të nxisin një jetë më aktive. “Ne do ta kthejmë Tiranën shumë shpejt, siç kemi filluar, jo vetëm në një qytet të bukur, por edhe në një qytet ku qytetarët e saj, fëmijët e saj, rinia e saj të gëzohet dhe i feston ditët si gjithë Europa, si gjithë kryeqytetet europiane”, deklaroi Hado. Maratona e Vallëzimit është parashikuar të zgjas përreth 15 orë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: