Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç, ka deklaruar se marrëdhëniet e vendit të tij me Këshillin e Europës mund të përkeqësohen nëse institucion i BE pranon Kosovën si vend anëtar. Ai ka shtuar se Beogradi mund të mos marrë pjesë në samitin e krerëve të qeverive të përgatitur nga Islanda.

Daçiç tha se Islanda është duke përgatitur një samit të krerëve të qeverive dhe se është e rëndësishme që ata të kenë unitet, por se Serbia nuk do të marrë pjesë nëse Kosova pranohet në Këshillin e Evropës.

“Kam menduar se Kosova i ka siguruar kushtet për anëtarësim shumë kohë më parë, i kanë dy të tretat e vendeve (të Këshillit të Evropës) që i mbështesin, por shumë vende nuk janë të kënaqura dhe nuk janë të gatshëm për të marrë vendime që mund të dëmtojë dialogun para përfundimit të procesit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, tha Daçiç në një intervistë për mediat serbe.

Ai ka përsëritur se ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijártó, me të cilin është takuar dje, ka treguar sërish se Hungaria, e cila e ka njohur Kosovën, nuk do ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

I pyetur për qëndrimin e Serbisë ndaj vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë, Daçiç tha se vendimi i marrë në fillim të luftës në Ukrainë, në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, është ende i vlefshëm.

“Çështja e vendosjes së sanksioneve është çështje e interesit tonë kombëtar. Ai qëndrim as nuk mendohet të ndryshohet”, tha ai.

Daçiç tha se Serbia është e detyruar të mendojë për çështjen e Kosovës dhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë si një çështje e vetme, sepse vendet që mbështesin integritetin territorial të Serbisë mund të ndryshojnë qëndrimin e tyre nëse Beogradi vendos sanksione kundër Moskës.

Ai tha se zyrtarët amerikanë besojnë se marrëdhëniet e vendit me Serbinë janë në rritje dhe se qëndrimet e ndryshme të Uashingtonit dhe Beogradit për çështje të rëndësishme kombëtare, siç është njohja e Kosovës, nuk janë pengesë për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: