Në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte i ftuar këngëtari Mateus Frroku, i cili rrugëtoi nëpër kujtime dhe bëri një rrëfim emocionues për jetën e tij profesionale dhe personale.

Teksa në studio u shfaqën fotografi me prindërit e tij, këngëtari tha se ata janë frymëzim për të dhe vëllain e tij, pasi kanë një dashuri të madhe për njëri-tjetrin dhe në këtë mënyrë janë një model shumë i mirë edhe për fëmijët e tyre.
Këngëtari foli për rrugëtimin e tij në muzikë dhe tregoi edhe momentin kur kishte menduar të hiqte dorë prej saj. Ai tha se edhe pse bënte muzikë, asnjë prej këngëve të tij nuk ishte pëlqyer aq sa duhet, ndaj Mateusi kur vendosi të bashkëpunojë me Kledi Bahitin kishte menduar që, “Nëse edhe kjo këngë nuk do të ecte do të hiqja dorë nga muzika”.

Por ndodhi që kënga u pëlqye shumë dhe aty filloi një rrugëtim i bukur dhe i suksesshëm për Mateusin në muzikë, dhe bashkë me të edhe një miqësi shumë e mirë me kompozitorin.

Mateus Frroku zbuloi se, përveç projektit që sapo ka lançuar “Mu Kadale”, ka edhe 3 materiale të tjera për të publikuar, ku një prej tyre është bashkëpunim. Ai tha se të tre materialet do të jenë ritmike në mënyrë që të jenë të përshtatshme edhe për sezonin e verës.
Mbrëmja u mbyll bukur në “Dola te Ola”, me këngën “Përse me gojë ti nuk më flet” e interpretuar nga Mateus Frroku dhe Stefi Prifti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb