Ish-deputeti Ervin Salianji, i ftuar në emisionin Studio24, ka folur sërish për situatën brenda Partisë Demokratike, në kushtet kur nuk u lejua të garojë për kreun e partisë përballë Sali Berishës.

Salianji deklaroi se do të nisë procedurat për përjashtimin e tij nga Partia Demokratike.

“E kanë dërguar të tjerë në gjykatë çështjen e statutit. Unë do të nis nesër procedurën për përjashtimin nga partia. Nuk do të lë pa bërë asnjë betejë”, u shpreh ai.

Ish-deputeti theksoi se PD nuk mund të trajtohet si pronë personale dhe se ajo përfaqëson sakrificën e demokratëve ndër vite.

“PD nuk mund të trajtohet si pronë dhe këtë nuk e pranoj. Është sakrifica, mundi dhe gjaku i shumë demokratëve, i shumë familjeve shqiptare dhe është pasuri e shqiptarëve. Nuk do ta lë lehtë këtë betejë”, deklaroi Salianji.

Ai hodhi akuza të forta ndaj Berishës, duke pretenduar se kreu aktual i PD-së qëndron në mënyrë të paligjshme në drejtimin e partisë.

“Sali Berisha sot është uzurpator, nuk është kryetari i PD-së. E mban në mënyrë të paligjshme partinë. Ai është i paligjshëm në krye të partisë që nga shtatori”, tha Salianji.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb