Ter Stegen, portieri gjerman i Barcelonës, ishte përgatitur që në Botëror ai të ishte titullar për shkak të dëmtimit të Manuel Neuer, i cili edhe pse stërvitej me ‘panzerat’ dukej në formën jo të duhur pasi qëndroi 9 muaj larg fushave.

Vetë Gjermania, sigurisht me lejen e Joachim Loë, bëri të ditur 2 ditë më parë në faqen e saj në rrjetet sociale se Neuer do të jetë portieri titullar në Botëror, si dhe kapiteni i ‘panzerave’.

Pas këtij fakti sot ka ardhur reagimi i parë i ter Stegen nga qendra stërvitore “Appiano” në Itali, aty ku Gjermania po zhvillon përgatitjet për Botërorin.

“Gardiani” i Barcelonës e pranon vendimin e trajnerit të tij me sportivitet, por nuk e fsheh trishtimin: “Kur keni luajtur gjithë sezonin dhe keni pasur gjithmonë një nivel të lartë, kjo është një situatë zhgënjyese.”-deklaroi fillimisht Ter Stegen që më pas pranoi se në çdo moment do të ndihmonte Neuer.

Ter Stegen ka qenë titullar i portës së Gjermanisë në shumicën e ndeshjeve kualifikuese. Gjithashtu, ai ka luajtur në Kupën e Konfederatave, teksa trajneri Joachim Loë e ka lavdëruar publikisht: “Është tepër i pjekur. Shumë i qëndrueshëm. Nëse bën një gabim, kjo nuk do të ndikojë tek ai. Ter Stegen e ruan nivelin e lartë sportiv”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb