Kryetari i Këshillit Koordinues të Diasporës, biznesmeni dhe filantropi i njohur Lazim Destani, pjesëmarrës në Samitin e Diasporës që ka nisur punimet këtë të hënë, në një intervistë për “Studio 24” u shpreh se takimet dhe samitet e diasporës shqiptare po sjellin gjithnjë e më shumë vlera dhe bashkëpunim konkret për vendin dhe rajonin.

Destani tha se ka marrë pjesë edhe në samite të tjera më parë, por këtë herë e sheh situatën më ndryshe, duke theksuar se çdo takim i tillë sjell përfitime dhe ide të reja për zhvillim.

Sipas tij, sot në Tiranë janë të pranishme biznese të suksesshme të diasporës shqiptare nga e gjithë bota, përfshirë Australinë dhe vende të tjera të largëta, të cilat përfaqësojnë profile të ndryshme profesionale dhe ekonomike.

“Diaspora e do vendin dhe ka shumë pozitivitet. Duhet të lidhemi më shumë me njëri-tjetrin dhe të shkëmbejmë mendime,” u shpreh ai, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm.

Destani gjithashtu nënvizoi se në Samitin e Diasporës do të zhvillohen panele të ndryshme me fokus në mjekësi, biznes dhe fusha të tjera, ku pjesëmarrësit do të sjellin ide dhe përvoja konkrete.

Në këtë event marrin pjesë përfaqësues të diasporës shqiptare nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, duke e bërë atë një platformë gjithëpërfshirëse për bashkëpunim mbarëkombëtar.

Lazim Destani: kam qenë dhe në samite të tjera por sot e shoh pak më ndryshe. Cdo takim e tubim sjell vetëm të mira. Vec të tjerave sot ke në Tiranë biznese të suksesshme të diasporës, nga Australia deri në skajin tjetër të botës, të gjithë profileve.

Kur e them këtë, diaspora e do vendin dhe ka shumë pozitivitet e të mira, duhet të lidhemi me njëri-tjetrin, të shkëmbejmë mendime.

Në samitin e Diasporës do të ketë panele për mjekësinë, biznesin dhe secili do të japë idenë e vet. Pjesëmarrësit janë dhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb