Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme, në zbatim të masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” të vendosur ndaj tij.
Pas daljes nga ambientet e SPAK, Berisha foli për mediat, ku akuzoi qeverinë Rama për një sërë aferash korruptive, duke renditur mes tyre ndërtimin e rrugëve, procedurat e lidhura me AKSHI-n, aferën e inceneratorëve dhe çështje të tjera që, sipas tij, i kanë kushtuar miliarda euro shqiptarëve.
Berisha deklaroi se rrugët në Shqipëri ndërtohen me kosto shumë më të larta se në vendet e tjera të Evropës dhe ngriti pyetje lidhur me disa prej kontratave dhe vendimeve të qeverisë.
Një tjetër pikë e akuzave të tij ishte Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Berisha pretendoi se përmes saj janë abuzuar mbi 600 milionë euro dhe ngriti akuza edhe për rolin e Endri Agasit, të cilin e përmendi në lidhje me tenderë dhe procedura të ndryshme.
Në përfundim, Berisha sulmoi SPAK-un, duke e akuzuar se funksionon si “mburojë” për qeverinë dhe për personat pranë saj.
“Rrugët ndërtohen 6-10 herë më të shtrenjta se në Europë. A duhej të pyetej Rama për gjobën 120 mln euro që u bëri shqiptarëve me aferën Becheti, po për kontratën që gjobit shqiptarët 130 mln euro dhe anulimi I së cilës kushton 700 mln euro sepse Rama do të marrë aksionet e tij? Po për Arubën, takimin ku morën pjesë trafikantët ndërtuesit dhe të dërguarit e Ramës. Emrat e të cilëve mbahen sekret nga skllevërit e tij.
A duhet të pyetej për AKSHI në të cilët ka grabitur mbi 600 mln euro familjarisht, po për rolin e Agasit që është fotografuar dhe filmuar në të gjitha format. Po për tenderat të dhënat biznesmenit Beqiri?
A është pyetur për regjistrimin e gjysmë mln shpirtra të vdekur nga shtriga e korrupsionin që e ka emrin Vilma Nushi.
SPAK, hetuesi private e Ramës që funksionon si mburojë e krimeve monstruoze që ai dhe ata rreth tij kryejnë”, u shpreh ai.
