Prokuroria e Kavajës ka marrë sërish në pyetje 30-vjeçaren Marsida Qatja, që ishte “mollë sherri” e krimit që tronditi dje vendin, ku u vra në banesën e saj 41-vjeçari Dritan Haxholli, ish i dashuri i saj, dhe u plagos polici Bledar Toçi, me të cilin dyshohet se kishte nisur një lidhje të re.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se Qatja është marrë në pyetje për tri çështje. Së pari, Marsida Qatja ka dhënë dëshmi kontradiktore, pasi në Prokurori ka pohuar se ka pasur lidhje intime me viktimën Dritan Haxholli, ndërsa për media nuk e pranoi një gjë të tillë.

Pra, ajo do të pyetet sërish nga Akuza lidhur me njohjen, që kishte me personat e përfshirë në ngjarjen e rëndë, pasi përveç viktimës, 30-vjeçarja dyshohet se ka gënjyer edhe për raportin që ka me policin. Ndonëse ajo thotë se e ka shok, në telefonat e sekuestruar nga policia janë zbuluar mesazhe, që bien ndesh me deklarimet e saj, pra tregojnë të kundërtën.

Gjithashtu, Qatja është marrë në pyetje edhe për dëshminë e saj mbi ngjarjen që ka ndodhur në banesë, pasi deri më tani mësohet se ka dhënë versione të ndryshme mbi atë se çfarë ndodhi në të vërtetë brenda banesës.

Ndërsa, një tjetër çështje për të cilën ajo po pyetet sërish, është edhe fakti se dyshohet që në darkën që ajo kishte shtruar në banesë me policin Toçi dhe dy shokë të tjerë të jetë konsumuar kokainë.

Nga kontrollet e policisë në banesë janë gjetur disa mbetje, që hedhin dyshime të forta, që aty të jetë konsumuar kokainë. Është pikërisht kjo një tjetër çështje e fortë, për të cilën Marsida Qatja do të japë llogari para organit të Akuzës.

Gjithashtu, lidhur me dyshimet që në darkë të jetë përdorur kokainë Prokuroria do të rimarrë në pyetje edhe policin Bledar Toçi, si dhe dy personat e tjerë që ndodheshin në banesën e Qatjas, të cilët do të pyeten se ku e kanë marrë kokainë dhe ku e shpërndanin atë.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb