Drejtoresha e Departamentit të Menaxhimit të Shitjeve në Degë në Credins Bank, Adja Angjeli, foli në një lidhje me “Skype” në News24 për masat e marra nga kjo bankë kundër koronavirusit, si dhe për punën në këto ditë të vështira të përhapjes së virusit.

Angjeli tha se Banka Credins ka marrë masa kundër COVID-19, me dezinfektime, maska e doreza, ku asnjë person nuk lejohet të shkelë në bankë pa pajisje, si dhe pa u dezinfektuar.

Më tej, ajo sqaroi të gjithë qytetarët, se si do të bëhet shpërndarja e pagave të luftës nga kjo bankë, ndërsa foli dhe për shpërndarjen e pensioneve nëpër shtëpi nga vetë banka.

“Qytetarët kanë shfaqur interes të shtuar për shërbimet bankare, kjo edhe për shkak të orarit të kufizuar. Gjatë këtyre ditëve, ne kemi ofruar shërbimet që ofrojmë gjithmonë. Qytetarët vijnë në bankë për të kryer tërheqjen e pagave të tyre, për të bërë derdhje, pagesa, një gamë të gjerë shërbimesh. Është shtuar edhe shërbimi për pagat e luftës, që janë hapur kohët e fundit në bankën tonë. Gjatë kësaj kohe janë shtuar dhe shërbimet ndaj pensionistëve, ku një pjesë e tyre do e marrin pensionin në shtëpi dhe është banka që ua dërgon. Janë marrë dhe shërbime të tjera për shtyrjen e kësteve të kredive”, tha Angjeli.

Çfarë masash ka marrë banka për të mbrojtur stafin?
Që në rastet e para të konstatitmit të personave me koronavirus ka hartuar një plan emergjence. Përvec kushtit që të gjithë duhet të jenë të pajisur me maska dhe doreza, kur shkelin në bankë, edhe pasi kryejnë të gjitha shërbimet, duhet të dezinfektohen. Banka ka bërë dezinfektim. Janë dezinfektuar të gjitha pajisjet e ATM-ve. Stafi i bankës është pajisur me solucione, doreza, maska. Në degët e bankës kemi instaluar disa aparatura, që masin temperaturën e klientëve që hyjnë në bankë.

Degët e tjera janë funksionale në gjithë Shqipërinë?
Në dy javët e para pasi filloi gjendja e jashtëzakonshme, banka ishte active vetëm me një pjesë të degëve, por që nga data 4 prill jemi aktive me të gjitha degët, që punojnë nga ora 07:00, deri në orën 12:30.

A ju del koha?
Ka një ngjushtim të veprimeve, por që deri më tani mendojmë se ja kemi dalë mirë.

Çfarë strategjie po ndjek Credins Bank për plotësimin e nevojave të klientit nga shtëpia?
Edhe para shfaqjes së pandemisë, banka ka zhvilluar përveç degëve të bankës edhe platformën online, ku klientët mund të realizojnë një pjesë të mirë të veprimeve pa qenë nevoja të jenë në bankë. Një pjesë e mirë e klientëve janë mësuar tashmë me këtë metodë.

Sa i përket pagës së luftës…
Pagat e luftës kanë sjellë shtim të numrit të klientëve. Banka ka hapur disa llogari të posaçme, që janë të pakomisionuara, si dhe iu ka ofruar këtyre klientëve edhe përdorimin e platformës online falas, pa asnjë komision. Në momentin që do iu kreditohet llogaria, nga banka do të njoftohen me një sms, në mënyrë që të mos paraqiten në bankë për të pyetur, por të vijnë vetëm për ta marrë. Kjo bëhet për të shmangur rradhët në bankë.

I keni marrë masat për një kohë të pacaktuar?
Ne po operojmë në bazë të një plani emergjence, që është ngritur nga strukturat e sigurisë, dhe që bën që të gjitha strukturat e bankës të jenë aktive.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb