Eksperti i sigurisë Fatjon Softa ka komentuar ngjarjet e fundit kriminale në vend, duke ngritur shqetësime për përfshirjen e efektivëve të policisë dhe drejtuesve të ndryshëm në episode të rënda kriminale. Sipas Softës, kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në uljen e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit.
Duke iu referuar plagosjes së efektivit në Tiranë, Softa tha për programin e drekës në News24 se hetimet duhet të sqarojnë nëse janë përdorur armë nga të dyja palët dhe në çfarë rrethanash ndodhej polici në vendngjarje. Ai shtoi se në rast se efektivi kishte dijeni për persona me precedent penal apo për armëmbajtje pa leje dhe nuk ka njoftuar strukturat përkatëse, atëherë bëhet fjalë për mosveprim institucional.
Softa theksoi gjithashtu rëndësinë e verifikimit nëse arma është përdorur në vetëmbrojtje, ndërsa kërkoi analizimin e pamjeve filmike nga zona e ngjarjes. “Në shumë ngjarje shfaqen dhe efektivë politike, por dhe drejtues, që përfshihen në ngjarje kriminale. Ndaj dhe zbehet besimi te policia. Presim që të ketë hetim nga policia, dhe nëse janë përdorur armët nga të dy krahët. Ishte afër polici me shënjestrën? Apo ka qenë rastësisht aty? Duhet hetim i thelluar.
Nëse ai ka qenë në shërbim, apo jashtë shërbimi, është punonjës policie. Punonjësi i policisë nuk është se s’ka pasur informacion, se thonë që janë shokë. Punonjësi i policisë ka pasur dijeni dhe nuk ka ndihmuar strukturën për mosveprim. Flitet për person me precedent, për armëmbajtje pa leje. Por a u përdor arma e zjarrit në vetëmbrojtje, duhet parë kjo çështje. Duhen pamjet filmike nga vendngjarja, është çështje kohë. Por mund të vonohet dhe arrestimi i tyre. Problematike është se si qarkullojnë armët. Se si disponohen ato.”, tha ai.
Eksperti ngriti shqetësime edhe për qarkullimin e armëve dhe përdorimin e motorëve me targa të vjedhura në atentate dhe grabitje.
Softa përmendi edhe ngjarje të tjera të pazbardhura, si vrasja e postierit në Kamëz dhe grabitjet e argjendarive, si në rastin e së shtunës, duke kërkuar masa më të forta sigurie për bizneset. Sipas tij, subjektet që operojnë me vlera të larta duhet të pajisen me kamera me rezolucion të lartë, dyer të blinduara dhe fasada antiplumb për të parandaluar sulme të ngjashme kriminale.
“Një tjetër ngjarje e pazbardhur është dhe vrasja e postierit në Kamëz, apo grabitja e argjendarisë. Ka grabitje, ka ngjarje kriminale, ndaj duhet të ketë masa shtesë. Këto biznese, argjendaria, duhet të ketë masa më të shtuara, të ketë fasada antiplumb, me dyert të blinduara, se nuk është rastësi që ata persona shkuan atje me motor. Targat kryesisht janë të vjedhura. Në rastin në fjalë është përdorur motori dhe skafandrat. Në shumë vende skafandrat e errëta janë të ndaluara. Pas xhamit të zi, fshihen fytyra që mund të përdoren dhe për të kryer atentate. Ajo zonë është e njohur. Edhe kur vranë Santon, në ato zona u fsheh motori. Kallashnikov, në një ambient publik, në një nga zonat më të frekuentuara të Kamzës, bëhet grabitje. Subjektet duhet të marrin masa parandaluese, siç janë kamerat me rezolucion të lartë.”, tha ai.
