Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, zhvilloi një takim informues online, me ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian, në Tiranë. Ministri Çuçi informoi dhe iu përgjigj interesit të ambasadorëve për punën dhe progresin e bërë nga Ministria e Brendshme dhe institucionet e varësisë, në kuadër të zbatimit të prioriteteve që lidhen me rritjen e sigurisë dhe masat për konsolidimin e shtetit ligjor. Ministria e Brendshme, si institucioni kryesor përgjegjës për zbatimin e Kapitullit 24, ka përmbyllur reforma të rëndësishme ligjore dhe po bën përpjekje të forta për zbatimin me efikasitet.

Ministri i Brendshëm prezantoi rezultatet në disa fusha, e veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar në kuadër të “Operacionit Forca e Ligjit”, luftën kundër pastrimit të parave me burim kriminal, kundër kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve, masat për të goditur korrupsionin në radhët e policisë. Më tej, Çuçi u ndal tek rezultatet e njësisë policore për kapjen e personave në kërkim, e krijuar në 2019, e njohur si “Fast Albania”, si dhe modernizimin dhe shtrirjen e teknologjisë në Policinë e Shtetit.

Më tej, ai foli për menaxhimin e kufirit, masat për frenimin e azilit të paligjshëm, si dhe nënvizoi rezultatet e bashkëpunimit ndërkombëtar policor, duke theksuar se Shqipëria është i vetmi vend që ka marrëveshje me gjithë agjencitë europiane për çështjet e brendshme dhe migracionin. Ministri shprehu mirënjohje për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vendeve partnere.

Ministri informoi gjithashtu ambasadorët për punën e MB-së, për hartimin e publikimin e listave zgjedhore dhe detyrimeve në përmbushje të detyrimeve që burojnë nga Kodi Zgjedhor.

Ministri i Brendshëm prezantoi gjatë takimit prioritetet për vitin 2021, që janë lufta kundër krimit të organizuar, rritjen e parametrave të sigurisë publike, mbështetjen e procesit elektoral sa i takon fushës së përgjegjësisë, mirë-menaxhimin e lëvizjeve të qytetarëve dhe mallrave në kufi, procesin e integrimit dhe bashkëpunimin rajonal, si dhe riorganizimin e Policisë së Shtetit, duke përmirësuar menaxhimin e burimeve njerëzore e duke riorganizuar stacionet të policisë në varësi të numrit të banorëve për zonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb