Biznesmeni dhe protestuesi Erlind Xhindi, i ftuar në studion e News24, ka folur lidhur me zhvillimet e fundit rreth protestës kombëtare që vijon prej më shumë se 70 ditësh radhazi kundër kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij qeveritar.

Gjatë fjalës së tij, Xhindi nënvizoi se qëndresa qytetare ka kaluar në një tjetër dimension dhe se hapat e ndërmarrë së fundmi nga kryeministri i janë kthyer kundër vetë pushtetit.

“Është ushtruar shumë trysni gjatë kësaj lëvizjeje, është lëvizje tani jo protestë. Rama bëri një provë me shkresat që u çoi kryebashkiakëve, bashkitë e të cilëve rrezikojnë të shkrihen, por ishte një autogol i Ramës. Kjo i doli kundër.”

Më tej, biznesmeni u ndal te qëndrimi politik i kryeqeveritarit, duke theksuar se forca e tij është vetëm një iluzion dhe se fundi i kësaj qeverisjeje është i afërt:

“Rama nuk e ka shansin të shkojë në zgjedhje, nga shtatori është i ikur. Ramën e karakterizon kokëfortësia, por nuk bazohet në forcë. E ka artificiale.”

Në përmbyllje, Xhindi vlerësoi reagimin e qytetarëve dhe punonjësve të administratës në bashkitë që rrezikohen nga shkrirja, duke e cilësuar lëvizjen e tyre si një akt atdhetarie:

“Bashkitë që rrezikojnë të shkrihen treguan se janë atdhetarë që u ngritën në protestë dhe vunë në lëvizje edhe administratën në këto bashki, ku mes tyre dhanë edhe dorëheqjen publikisht.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb