Nga Tirana, në Lezhë, Durrës apo Vlorë. Të gjitha qytetet shqiptare janë të heshtura këtë të diel marsi. Qytetarët shqiptarë nga Jugu në Veri i janë bindur masave kufizuese të lëshuara nga qeveria për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, pandemisë së rrezikshme që ka futur botën nën kthetra.

Gazetari Osman Stafa raportoi për “BalkanWeb” se rrugët e kryeqytetit janë të boshatisura dhe se nuk ka pothuajse fare lëvizje përveç makinave të policisë.

Tirane
Tirane

Nga Durrësi, gazetarja Klodjana Haxhiaj raportoi se dhe qytetarët durrsakë janë treguar të bindur dhe nuk kanë thyer masat e qeverisë. Të vetmit që mund të lëvizin janë ata që kanë leje nga autoritetet.

Durres
Durres

Fier, megjithë ditën pranverore fantasike dhe me temperatura relativisht të larta, askush nuk ka guxuar të thyejë rregullat e vendosura. Të gjithë janë ngujuar brenda deri të hënën në mëngjes. Gazetari Ervis Kuçi raportoi për “BalkanWeb” se në një vëzhgim në rrugët e qytetit nuk shikon asnjë automjet apo edhe kalimtar duke dëshmuar për zbatimin e këtij urdhri për të qëndruar të izoluar dhe të sigurt ndaj infektimit nga koronavirusi. Rrethi i Fierit renditet i dyti në vend për numrin e të prekurve nga Covid -19 dhe si i tillë edhe masat e policisë dhe të Forcave të Armatosura kanë qenë të rrepta. Edhe në ditën e sotme në akset kryesore rrugore si dhe brenda në qytet ka pasur prani të shtuar të ushtrisë dhe policisë.

Enrik Mehmeti raportoi për “BalkanWeb” se Vlora si rrallë herë është boshatisur që prej ditës së djeshme. Si kurrë më parë Lungomare është e zbrazur nga makinat dhe njerëzit. Rrallë kalon ndonjë patrullë policie ose ushtrie. Të gjitha rrugët janë të zbrazura dhe qytetarët kanë qëndruar në shtëpitë e tyre.

Vlora
Vlora

“Përpos uniformave blu asnjë person nuk shihet në rrugët e Lezhës. Gjithçka është e heshtur dhe banorët duket se po e kuptojnë rrezikun që u kanoset. Gjatë ditës së sotme nuk raportohet për masa nga ana e policisë kundrejt këmbësorëve apo automjeteve. Edhe në spitalin e Lezhës, numri i pacientëve është zbehur totalisht nga frika e infektimit”, raportoi nga Lezha gazetari Elidon Ndreka për “BalkanWeb”.

Edhe në Shkodër është e njëjta situatë. Qytetarët kanë qëndruar në shtëpitë e tyre duke zbatuar masat e sigurisë. Gazetari Senad Nikshiqi raportoi për “BalkanWeb” se Shkodra nuk ka asnjë rast më COVID-19 por sërish qytetarët shkodranë që i kanë pasion shëtitjet me biçikleta nuk kanë dalë nga shtëpitë e tyre.

Shkoder
Shkoder

Berati sot paraqitet i boshatisur,si kurrë më parë. Pas orës 13.00 të ditës së djeshme, pothuajse në një kohë rekord të gjitha rrugët, lulishtet e sheshet e qytetit janë boshatisur tërësisht, si nga automjetet ashtu edhe nga njerëzit, duke e shndërruar Beratin në një “qytet të heshtur”. Qytetarët beratas i janë bindur kështu unanimisht urdhrit për të qëndruar në shtëpi, si masë kjo e marrë nga qeveria për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Nga një vëzhgim i imtësishëm në rrugët kryesore e në brendësi të lagjeve rezultoi se të gjitha rrugët janë të boshatisura dhe të gjithë beratasit janë mbyllur brenda si kurrë më parë. Të vetmit që sheh në patrullim në rrugët e qytetit janë forcat e policisë të DVP Berat. Pas vetëizolimit total që filloi mesditën e djeshme e që do të përfundojë në agimin e ditës së hënë, shpresohet shumë që të frenohet përhapja e Virusit Covid-19, i cili ka prekur deri tani edhe vendin tonë dhe ka shënuar dy të vdekur.

Nga Korça, gazetarja Lorena Kodra raportoi se qyteti është i boshatisur. Ndryshe nga ditët e tjera edhe parku “Rinia” është i zbrazur. Ka vetëm. pak makina të akredituara që lëvizin, ndërkohë që janë ulur qepenat e subjekteve të ndryshme. Serenatat me sa duket ia kanë lënë vendin qetësisë absolute.

Korca
Korca

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb