VELIPOJA

Policia e Shtetit ka dhënë detaje për 17- vjeçaren që u gjet dje e mbytur në Velipojë.

Konfirmohet se 25- vjeçari Indrit Bajraktari ka hyrë në det me motor uji bashkë me vajzën. Pas dy orësh e gjysmë ai ka dalë pa motor uji në breg duke lënë të mbytur 17- vjeçaren. 25- vjeçari pretendon nga dëshmia e tij se vajza ka rrëshkitur por Policia thotë se ai e la vetëm në det.

Për më tepër pronarëve të motorit të ujit, siç mëson BalkanWeb nga gazetari Senad Nikshiqi, Indrit Bajraktari u ka thënë se vajzën e la në breg dhe e mori xhaxhai i saj. Nga burimet mësohet se vajza në trup ka vetëm të nxira nga përplasja me ujin teksa pritet autopsia për të zbardhur shkakun e vërtetë të vdekjes së 17- vjeçares e cila po pushonte me familjen.

 

NJOFTIMI NGA POLICIA

Velipojë, Shkodër

Vihet në pranga një 25-vjeçar për ngjarjen e ndodhur në Velipojë ku humbi jetën si pasojë e mbytjes në det një 17-vjeçare.

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Shërbimet e Policisë Velipojë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur ku humbi jetën si pasojë e mbytjes në det një 17-vjeçare, organizuan punë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shodër për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

– I. B., 25 vjeç, banues në fshatin Kullaj, Njesia Administrative Postrribë Shkodër.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se më datën 19.08.2020, rreth orës 14:00, në vendin e quajtur Vilu, plazh Velipojë Shkodër, ky shtetas ka hyrë në det me motorr uji të marrë me qera së bashku me shtetasen E. D., 17 vjeçe, banuese në Bathore.

Rreth orës 16:30, ky shtetas ka dalë në breg pa motorrin e ujit duke lënë të mbytur në ujë shtetasen E. D., e cila kishte ardhur për pushime së bashku me familjen e saj.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua çelësi i motorrit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallë së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme për veprat penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb