Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar një tjetër përgjim nga dosja 339, pak orë pasi prokuroria tha se se ka hapur hetime për rrjedhje informacioni dhe nxjerrje sekreti. Përgjimi tregon një telefonatë mes kryetarit të Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe Astrit Avdylit, i akuzuar si koka e grupit kriminal me bazë në Shijak.

Gazetarja Lala tha në “Opinion” se këtë herë ishte Dako ai që e telefonoi Avdylin, duke e njoftuar për një favor në lidhje me detyrën.

“Pasi më ra rastësisht në dorë përgjimi, pikërisht aty pastaj mendova që duhet ta shoh temën në një këndvështrim tjetër. Është e njëjta dosje e Avdylajve, përgjimet të autorizuara me vendim gjykate. Ka shumë dokumenta, edhe të tjera. Unë kam dokumenta të tjera, ku Dako flet me Avdylin edhe për biseda që kanë të bëjnë me favore, përshembull në një rast është Dako që e merr në telefon Astrit Avdylin.

Dako: Niçe si je? I bëre gati letrat
Avdylaj: Po kryetar i bëra
Dako: Çoji te vendi se është bërë gati
Avdylaj: Faleminderit kryetar”

“Nuk kemi dashur të japim emra konkretë sepse kemi menduar të japim kontekstin e asaj që ndodh, që një zyrtar i lartë komunikon me persona me të kaluar kriminale”, tha Lala.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb