TIRANE- Përmes një aktivitetit artistik, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka vlerësuar me një çertifikate mirënjohje kontributin e shkrimtarit dhe poetit shqiptar të Evropës frankofone, Skënder Sherifi.

Gjatë fjalës së rastit Ministrja Lindita Nikolla vlerësoi veprën e Z. Sherifi dhe gjithë kontributin që ai ka dhënë për gjuhën dhe kulturën shqipe dhe atë frankofone.skenderi5

“Skënder Sherifi është nga ata shqiptarë të Evropës frankofone që vjen për të na rrëfyer të bukurat e jetës” u shpreh Nikolla.

“Këtë ndjesi” vijoi ministrja, “e pata edhe unë kur jam takuar me të pasi ai gjithë kohës fliste për bukurinë e jetës dhe dashurinë e madhe që ka për Shqipërinë, njerëzit, shkollën dhe letërsinë”.

“Skënder Sherifi ka rreth 40 vite krijimtari artistike dhe 25 vite kontakti me Shqipërisë, që pas vitit 1990, dhe gjithë jetës së tij ai i është dedikuar letërsisë, mësimdhënies dhe kulturës frankofone e shqipe”, u shpreh Ministrja Nikolla gjatë aktivitetit.

Sakaq pas fjalës së saj, Ministrja indita Nikolla i dorëzoi personalisht Skënder Sherifit një çertifikatë mirënjohjeje me motivacionin “Për promovimin e vlerave kombëtare përmes veprës së tij letrare, përcjellë në një nivel të lartë artistik, në gjuhën frënge”.

Nga ana tjetër Skënder Sherifi pasi shprehu emocionet e tij për vlerësimin e bërë nga ana e Ministres Nikolla, u shpreh se “Gjithmonë e kam konsideruar vetën në Shqipëri si në familjen time, në gjenezën time, në burimin tim sepse çdo gjë e jetës time është nisur nën qiellin dhe tokën shqiptare”.

Skënder Sherifi jeton prej moshës 1-vjeçare në Francë dhe Belgjikë. Ai është autor i 10 librave të shkruar në gjuhën frënge, ndërkohë që vetëm 3 prej tyre janë përkthyer në shqip, “Lojë dhe Kundërlojë”, “Oksigjeni “ dhe “Ateljeri i ëndrrave”.

Në vitet 1976 – 1980 ka jetuar në Prishtinë dhe pas vitit 1990 ka ardhur rregullisht në Shqipëri për të ruajtur lidhjet me vendin nga ku buron prejardhja e familjes së tij, Tropojën.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: