SHBA- Java e filmit Shqiptar në New York 2015 (Albanian Film Week-AFW) një ndër eventet më të mëdha të promovimit të vlerave kulturore dhe kinematografike që zhvillohet në New York sivjet vjen në edicionin e tij të IV-të, ku do të prezantojë prodhimet më të fundit të kinemasë shqiptare, si dhe prodhimet e shumë artistëve shqiptar që jetojnë e veprojnë jashtë trojeve të tyre.

Ky event i madh për botën shqiptare jashtë kufijve do të prezantohet nga moderatorja e njohur dhe shumë e dashur shqiptare, Kozeta Turishta, ish-moderatore në News24 dhe ish-drejtuese e emisionit “Pasdite në Top Channel”.

Krah Kozetës do jetë edhe aktori i njohur Lulzim Bucolli për të prezantuar këtë event gjigand të diasporës.

Java e filmit në New York, gjithashtu do të ketë aktivitete e debate përcjellëse që do të shoqërohen përgjatë Festivalit në mënyrë që të promovohet kultura e kombit tonë duke qenë gjithmonë në shërbim të paqes e tolerancës.

Java e Filmit Shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Albanian Film Week) është ideuar dhe themeluar nga producentja dhe regjisorja Mrika Krasniqi. Në këtë aktivitet marrin pjesë personalitete të ndryshme, si dhe përfaqësues diplomatik të Ambasadës së Shqipërisë në New York, Ambasadës së Kosovës në New York, Ambasadës së Maqedonisë në New York, e shumë pjesëmarrës të tjerë të njohur të komunitetit shqiptar dhe komuniteteve të tjera që jetojnë në New York.

Në programin e paraqitur edhe në website-in e AFW-se, janë edhe filmat kryesorë që do prezantohen gjatë netëve të Open night, që starton me 30 tetor deri më 5 nëntor. Filmat kryesore janë: “Tri dritare dhe një varje” Isa Qosja; “Bota” Iris Elezi & Thomas Logoreci; “Amsterdam Express” Fatmir Koçi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb