TIRANË

Gjatë ditës së djeshme, por edhe këtë të martë, banorët e Bregut të Lumit në Tiranë janë përplasur fizikisht me forcat e Policisë. Ata kundërshtojnë me çdo mjet prishjen e banesave të tyre, ndërsa kërkojnë dëmshpërblim finaciar sipas ligjit në fuqi.

Gazetarja, Dorjana Bezat raporton për  “BalkanWeb” se policia ka shoqëruar disa banorë, ndërsa një pjesë e tyre janë dërguar në spital për shkak të plagëve.

Në ndihmë të Policisë kanë shkuar në zonë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat priten të ndërhyjnë për të nxjerrë me forcë banorët që ndodhen në shtëpitë që janë parashikuar për t’u shembur, si rezultat i projektit për zgjatimin e Bulevardit të Ri. Gjithashtu mësohet se një shtëpi është prishur dhe po fillon puna për të ndërhyrë edhe në banesat e tjera.

“Disa prej banorëve janë lënduar dhe po marrin trajtim mjekësor, ndërsa një pjesë e tyre janë shoqëruar në  komisariatin nr.4. Gazetarët  dhe mediat nuk lejohen të afrohen. Njëra shtëpia është shembur dhe  nisur puna për shembjen e të tjerave.Ka forca të shumta policore dhe nuk lejohen të kalojnë as banorët, Policia e Rendit dhe FNSH janë prezente. Ka pasur disa banorë që janë shoqëruar për veprën penale “kundërshtim të policisë”. Kanë mbërritur edhe automjete të tjera të FNSH dhe priten që banorët të evakuohen me forcë.”, tha mes tjerash gazetarja, Dorjana Bezat.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb