Këtë të mërkurë nisi procesi i regjistrimit të studentëve të rinj në Universitetin “Luarasi”.
Në këtë moment të rëndësishëm për maturantët, Universiteti “Luarasi” hap dyert për të gjithë të rinjtë që janë në kërkim të programit të duhur të studimit. Nga sot deri më 4 shtator, në ambientet e universitetit zhvillohen “Ditët e Hapura”, gjatë të cilave maturantët mund të njihen nga afër me programet e studimit, të vizitojnë kampusin, të bisedojnë me pedagogë e studentë dhe të marrin informacion për mundësitë e karrierës pas diplomimit.
Dekani i Fakultetit të Ekonomisë në “Luarasi”, profesor Sherif Bundo në një intervistë në News24, foli për regjistrimet në Universitetin “Luarasi” duke u ndalur te programet si edhe rëndësia përse duhet të jetë zgjedhja e maturantëve.
“Universiteti “Luarasi” ka qenë shumë i angazhuar, për të krijuar në radhë të parë mjedisin e ngrohtë e të përshtatshëm për ata që do të jenë studentët e ardhshëm.. Si ditë e parë fluksi ka qenë shumë i mirë, mbi pritshmëritë normale. Të mos harrojmë edhe që jemi në një vit ku numri i maturantëve në Shqipëri ka edhe një rënie, kjo lidhet edhe me demografinë. Por unë them që dita e parë ka qenë shumë e mirë, dhe këshilla ime është që maturantët , familjet dhe prindërit të mos i lënë regjistrimet në ditët e fundit sepse nga ky regjistrim varet fati i karrierës profesionale të tyre”, u shpreh ai.
Gjithashtu gjatë intervistës dekani Sherif Bundo u shpreh se dita e parë ka qenë me pritshmëri dhe rezultate shumë të larta. Ai theksoi se maturantët janë nga gjimnazet më të mira të Tiranës, mbi 60% e të cilëve kanë mesatare mbi 8,5. Ndërsa shprehu edhe një falënderim për News24 për mbështetjen në çdo kohë.
“Në Fakultetin e Ekonomisë sot kam qenë vetë, në krye të pritjes, dhe ne presim studentët nga ora 08:00 deri në 16:00. Por kushdo që është i interesuar ne kemi lënë numrat e telefonit dhe mund të kontaktojnë për çdo situatë. Fakulteti i Ekonomisë ka veçori nga këndvështrimi profesional, në përputhje me trendin e zhvillimeve, por është edhe ndër të rrallët që ka programe studimi në tre nivelet, bachelor, master dhe doktoraturë. Duhet thënë se ka dy programe pranimi të studentëve në nivelin bachelor dhe dy programe në “School of London Economics”. Por profesionet tona do fillojnë të transformohen, do ketë konsulte financiar, do ketë njerëz që përgatisin shifra.
“Por duhet ta them që dita e parë, pa e tepruar në ndonjë program kemi tejkaluar shifrat e para dy viteve. Ky është produkt i një investimi gjithëvjetor. Dhe dua të falënderoj dhe News24 sepse kemi patur një bashkëpunimi të frytshëm dhe nëpërmjet televizionit kemi realizuar komunikim të gjallë me njerëzit. Masa e studentëve që kanë aplikuar për programet e studimit në Fakultetin e Ekonomisë, dy në shqip dhe dy në anglisht me LSE, janë gati 150 – 160 % më e lartë nga viti i kaluar dhe kjo tregon se njerëzit e duan ekonominë”, tha mes të tjerash ai.
Gjithashtu ai renditi edhe disa nga avantazhet, duke thënë se ka katërfishuar numrin e studentëve.
-“Luarasi” ka disa të veçanta, ka 3 Fakultete që në Europë quhen shkolla të mëdha, këto janë shkolla që t’i mbajnë të hapura për jetë dyert e karrierës. Shkollat e tilla janë, inxhinieritë, fakultetet e Ekonomisë, Drejtësisë dhe sigurisht dhe Informatika. Ka disa shkolla të tjera quhet shkolla të larta teknike, që janë Mjekësia, Farmacia, Infermieria, Sportet, Artet. Pra Universiteti “Luarasi” ka edhe shkolla të mëdha dhe nga shkolla teknike.
-Së dyti, ne kemi nivele të studimit në të 3 shkallët; bachelor master, doktoraturë.
-Së treti, është i vetmi në Shqipëri që ka diploma të përbashkëta me një shkollë si “London School of Economics”, nënvizoi ai.
