TIRANE- Presidenti Bujar Nishani ka dekoruar sot shkrimtarin e mirënjohur Ismail Kadare, duke i dhënë titullin e lartë “Dekorata e flamurit kombëtar”.

Kreu i Shtetit tha se vepra e Kadaresë nuk i përket vetëm Kombit tonë, por mbart vlera të kulturës botërore.

“Ky është një eveniment i rëndësishëm shkencor, akademik. E konsideroj privilegj personal dhe institucional që të jem së bashku me ju, për të sjellë në vëmendje një figurë jo vetëm me rëndësi për trashëgiminë kulturore, por edhe me vlera të kulturës botërore. Vepra e Kadaresë nuk i përket vetëm kombit shqiptar, edhe vetë Kadare i përket fondit kulturo, shkencor, artistik, botëror. Në radhe të parë nderojmë Kadarenë për vlerat e tij për kombin shqiptar. Theksoj edhe kontributet e paçmuara, pasi nuk ka mirënjohje që të jetë e mjaftueshme, për t’i njohur Kadaresë të gjitha meritat e tij, krijuese si qytetar, mendimtar e krijuar.

Të flasësh për Kadarenë duket e lehtë, por është edhe e vështirë,. E lehtë sepse ke pambarimisht për të thënë, e vështirë sepse për të janë shprehur zërat më të artikuluar të Europës dhe botës, duke e konsideruar atë një klasik të gjallë”, tha presidenti Nishani.

“Unë jam njëri prej lexuesve të Kadaresë. I çdo gjëje që ai ka shkruar. Jam një qytetar që ka jetuar diktaturën dhe lirinë, me veprat e tij si referencë. Mund të them se çfarë ishte, çfarë është dhe çfarë do të jetë ai dhe vepra e tij. në një sistem tiranik i papërngjashëm me të tjerë në dhunë dhe çmenduri, si komunizmi shqiptar, Kadare zhvilloi hapësirat e lirisë së mendimit për të gjithë ne. Vepra e tij ishte hapësirë lirie dhe univers i pamatë krijues. Ai në çdo rresht e kishte mundur banalitetin e së keqes. Kadare me intuitë shekspiriane dhe kurajo të pazakontë përkufizoi krimin, përgjakjen, dhe frikën, këtë perpetum mobile, duke universalizuar situatat, duke bërë që veprat e tij të lexohen në shumë vende të botës”, tha Presidenti Nishani.

Shkrimtari Ismail Kadare në fjalën e tij shprehu emocione për këtë vlerësim.

“Ndihem i nderuar për çmimin e lartë që më akorduat sot në emër të shtetit e tuajin. Ndihem i nderuar për fjalët dhe vlerësimin e lartë që bëtë për mua. Është më rëndësi prania juaj këtu. Jam i prekur për këtë vlerësim, në një kohë kur në vendin tonë është një situatë e tillë. Është një vlerësim jo vetëm për mua, por edhe për letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ne letrarët jemi të lidhur me vlerësimin që i bëhet kulturës shqiptare. Do ju thoja përkthyesve, se juve mund t’ju harrojë gjithë bota, por ne shkrimtarët nuk do ju harrojmë kurrë. Ju jam mirënjohës”, tha shkrimtari Ismail Kadare.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: