Presidenti Bujar Nishani është i gatshëm të rikan didojë për një mandat të dytë presidencial, nëse ka mbështetjen e nevojshme në parlamentin e Shqipërisë. Gjatë një interviste me gazetën shqiptaro-amerikane, në New York, z. Nishani ku premtoi se sido që të ndodhte, ai do të përmbushte me seriozitet detyrat institucionale deri në ditën e fundit, në 24 korrik 2017.

Po forumi i Këshillit Ekonomik i Çikagos, një prej thinktankeve me reputacion të jashtëzakonshëm ndërkombëtar ishte ndalesa e radhës e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, në vijim të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në fjalën e tij, Kreu i Shtetit tha se me gjithë vështirësitë që ka sot BE, Shqipëria është e vendosur në rrugën e integrimit të saj dhe se Unioni nuk duhet të lërë jashtë vëmendjes zgjerimin.

Zoti President, u bën tashmë disa vite që ju udhëtoni dhe takoheni me shqiptarët këtu. Nga pikëvështrimi juaj, a dalloni ndryshime në këtë diasporë? Mbase ju nga jashtë keni perspektivën të dalloni ndryshime që ne këtu afër nuk i vëmë re…
T’ju them të vërtetën dhe me shumë sinqeritet, dalloj ndryshime të jashtëzakonshme, jo vetëm në kuadrin e organizimit dhe të koordinimit, por edhe të imazhit dhe cilësisë së këtij angazhimi të diasporës shqiptaro-amerikane. Gjithmonë e më shumë ky angazhim është i një niveli më të lartë profesional, i një artikulimi gjithnjë e më cilësor. Është më prezent në hierarkinë e zinxhirin e të gjitha institucioneve amerikane, politike, ekonomike, financiare, por edhe të shoqërisë amerikane në tërësi. Shikon më shumë mjekë shqiptaro- amerikanë të zotë, që kanë karrierë të pasur, shikon gazetarë shqiptaroamerikanë që janë gjithnjë më aktivë e prezentë me analizat e tyre dhe me ndikimin e tyre në opinionin publik, bizneset shqiptaro- amerikanë janë gjithnjë e më të konsoliduara, media po merr një rol të ri në orientimin e shoqërisë përballë sfidave të reja, gjenerata e re e arsimuar e shkolluar, e trajnuar, në nivelet më të larta shkollore dhe profesionale në Shtetet e Bashkuara, që po bëhet një faktor shumë i rëndësishëm i tërheqjes së vëmendjes nga bota shqiptare po edhe një hallkë lidhëse mes Shqipërisë, Kosovës, SHBA-së dhe botës shqiptare në tërësi. Jam shumë i kënaqur që Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten për ne partneri më strategjik, mbeten mbështetësi më i madh në rrugën tonë të zhvillimit ndaj edhe ekzistenca e këtij komuniteti shqiptaro-amerikan na gëzon dhe nga surprizon për mirë me çdo arritje e sukses të ri.

Një opinion i fortë është se kjo diasporë nuk mund të angazhohet tërësisht sa kohë që nuk është pjesë e vendimmarrjes në Shqipëri. A do të mundësohet vota e diasporës? Sa është e mundshme hapja e vendeve të rezervuara për deputetë që përfaqësojnë diasporën në parlamentin shqiptar? A nuk mund të imitojmë zgjidhjet që janë bërë realitet për shembull në Maqedoni, Itali etj., apo figura të suksesshme të komunitetit si potencial për poste ambasadorësh apo në stafin e ambasadave?
Nuk është aspak e vështirë, sepse çdo gjë bëhet në bazë të ligjeve dhe legjislacioneve që ngrihen. Mirëpo, janë njerëzit ata që shkruajnë ligjet, hartojnë legjislacionet dhe, nëse ekziston vullneti mes njerëzve, atëherë është e realizueshme. Pjesëmarrja e njerëzve nga diaspora në parlament është në fakt, nga gjërat e para që mund të bëjmë. Ju e përmendët vetë, në fakt, që Maqedonia ka deputetë nga diaspora. Po, kjo ndodh edhe në Kroaci apo Mal të Zi, pra edhe në rajon kemi raste që diaspora është prezent në parlamente. Ne jemi një rast ku vetëm 40% e shqiptarëve jetojnë brenda kufijve të Shqipërisë. Pa dyshim arsye kryesore këtu janë Kosova, Maqedonia etj., po edhe është shumë e madhe. Ka kapacitete të mëdha intelektuale në vendet ku jeton dhe nuk ka arsye se pse ambasadorë nga diaspora të mos shërbejnë në emër të Shqipërisë. Çfarë na pengon neve që institucionet e rëndësishme që kanë nevojë për një frymë të re menaxhimi në Shqipëri të mos afrojnë kapacitete nga diaspora. Pra, unë e shikoj më shumë si një çështje të vullnetit dhe dëshirës së njerëzve më shumë se çdo pengesë tjetër. Sa mund të udhëheqë presidenti një proces për realizimin e një ndryshimi të tillë? Presidenti nuk ka të drejtë që të marrë iniciativa ligjvënëse, nuk ka mekanizma të pushtetit ekzekutiv, por pse jo, duke qenë se zëri i presidentit mbetet një zë kredibël dhe unë kam luftuar që zëri i presidentit të mbetet një zë kredibël. Mbase ai duhet fuqizuar edhe më shumë dhe në një rast të tillë mund të bëhet promotor ndryshimesh nëse rezonon me mbështetje nga media, nga diaspora duke ndikuar eventualisht në politikë dhe në pushtetet ligjvënëse dhe të ekzekutivit.

Ju përmendët rëndësinë e partneritetit me Shtetet e Bashkuara. Kohët e fundit, SHBA e ka përqendruar vëmendjen te reforma e drejtësisë, një proces, i cili është duartrokitur edhe nga diaspora shqiptaroamerikane. Por ambasadori amerikan ka folur fjalë të rënda si asnjë koleg i tij për politikanët vendas, në këtë proces. Ju si e gjykoni sjelljen e partive kryesore në këtë rast, reformën e miratuar dhe shanset që jo të prodhojë më fund një sukses të dukshëm?
Pyetja juaj është komplekse, ka disa elemente shumë të rëndësishme. Ju falënderoj për pyetjen se jam i ndërgjegjshëm që media juaj ka një ndikim te një numër i madh qytetarësh. Reforma në sistemin e drejtësisë, ishte dhe mbetet një domosdoshmëri sepse kërkohet një stad shumë më cilësor për mënyrën e funksionimit të shtetit të së drejtës. Pa pasur një shtet të së drejtës, pa një funksionim të paanshëm, korrekt dhe të drejtë të ligjit është shumë e vështirë për individin, familjen, komunitetin e shoqërinë dhe në tërësi për një vend që të prosperojë me të gjitha dimensionet që kihet parasysh me termin prosperim. Është shumë e rëndësishme kualiteti i realizimit të kësaj reforme, sepse e shtrin veprimtarinë e saj afatgjatë dhe produkti i saj dhe masa e suksesit është, gjithashtu, afatgjatë.

Në këtë kontekst, unë kam vlerësuar shumë angazhimin e partnerëve ndërkombëtarë kryesorë, qoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë Bashkimin Europian, të cilët kanë pasur sensin pozitiv të mbështetjes ndaj kësaj reforme dhe kanë ofruar përmes ekspertizës së tyre shumë kontribut pozitiv dhe të mirë. Hapi i parë i rëndësishëm është ai që ka të bëjë me miratimin e legjislacionit, kryesisht ndryshimet kushtetuese që pritet të pasohen nga ndryshimet e tjera ligjore, hartimin e një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore dhe mekanizmash të nevojshme për zbatimin e tyre. Unë si President i Republikës i kam miratuar menjëherë ndryshimet kushtetuese edhe për faktin se u realizua ajo që unë kërkoja vazhdimisht që ndryshimi i Kushtetutës së një vendi duhet të vijë nëpërmjet frymës së konsensusit dhe angazhimit të konsensusit.

Përndryshe kjo nuk do të kishte një ndikim afatgjatë, sepse Kushtetuta është ligji themeltar i shtetit, i cili do t’i shërbejë shoqërisë për një kohë të gjatë dhe nuk është çështje e një qeverie të caktuar apo një maxhorance të caktuar. Pra, ishte e rëndësishme për mua që u arrit konsensusi, çka nënvizoi edhe njëherë ndjeshmërinë e të gjitha faktorëve politikë në këtë proces. Tani është hapi i dytë që është shumë më i rëndësishëm se hapi i parë dhe që ka të bëjë me implementimin e kësaj reforme. Që të jem i sinqertë me ju, edhe të gjitha legjislacionet që kemi hartuar, të paktën në këto dhjetë vjetët e fundit, kanë qenë në përputhje të plotë me acquis communautaire, me standardet europiane, me asistencën financiare e ligjore të specialistëve të partnerëve tanë, të SHBA dhe BE-së. Por, sfida e tyre ka qenë zbatimi në praktikë.

Prandaj kjo ka është edhe sfida për këtë reformë dhe mekanizmat qe do të krijohen. Pritshmëria e qytetarëve shqiptarë është shumë e lartë, por tashmë kjo pritshmëri është e lidhur jo vetëm me angazhimin e aktorëve të brendshëm, por edhe me angazhimin e partnerëve tanë. Pra, tashmë për të parë sesi do të zbatohet kjo reformë do të jetë përgjegjësi edhe e partnerëve tanë. Ndaj edhe suksesi apo dështimi i zbatimit (dhe unë as nuk e pres dhe as e uroj që të dështojë), do të ishte një dështim jo vetëm i aktorëve të brendshëm, por edhe i partnerëve të jashtëm. Ndërsa suksesi, gjithashtu, do të ishte i përbashkët.

Për ta mbyllur, ju u takuat edhe me Presidentin Barack Obama, fjalimi i të cilit zgjoi edhe më shumë interes, sepse ishte i fundit i tij përpara Asamblesë së Përgjithshme. Ju, gjithashtu, jeni në vitin e fundit të mandatit. Cilat janë planet tuaja politike, nëse mund t’ju pyes? E di që një rizgjedhje si president varet nga klima politike, po ju vetë a jeni gati të vijoni në këtë detyrë? Për çfarë presidenti ka nevojë Shqipëria dhe cili ka qenë vizioni juaj për institucionin që drejtoni?
Pa dyshim që çdo individ ka edhe karakteristikat e tij që vijnë nga bota e tij e kulturës, e edukimit, e parimeve që beson, nga sjellja e tij individuale që ndikon drejtpërdrejt në sjelljen institucionale. Nuk mund t’i shohësh të shkëputur sjelljen individuale nga sjellja institucionale. Jam munduar të implementoj disa parime, të cilat unë i kam besuar: Së pari, të kthej institucionin e Presidentit të Republikës, në një institucion që dominohet nga serioziteti i sjelljes institucionale. Seriozitetit jo në kuptimin e të mos qeshurit, por në mënyrën e trajtimi të çështjeve.

Së dyti, që të jetë një model i komunikimit të drejtpërdrejtë ndërmjet qytetarit dhe institucionit, ndaj edhe ka qenë një platformë e imja që jam munduar ta realizoj për të shkuar në çdo cep të Shqipërisë, nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim, pothuajse në çdo krahinë dhe te shqiptarët përtej kufirit, gjë që do të vazhdoj me intensitet deri në ditën e fundit të mandatit tim të Presidentit të Republikës. Së treti, unë mendoj që funksionimi dhe pozicionimi i Presidentit, si një filtër kushtetues, për të garantuar balancat dhe kontrollet ndërmjet pushteteve të ndryshme është shumë i rëndësishëm. Nëse zyra e Presidentit nuk do të kryente një filtër të tillë, atëherë do të ishte shumë e dëmshme për demokracinë.

Presidenti i Republikës nuk është një pushtet, por është një institucion shumë i rëndësishëm kushtetues, madje mund të themi institucioni më i lartë kushtetues në vend, i cili siguron veç atyre më sipër edhe moslejimin e keqpërdorimit të një pushteti në kurriz të një pushteti tjetër dhe garantimin e kushtetutshmërisë së proceseve. Jam munduar, pikërisht, pavarësisht kontekstit apo debateve politike që shpesh herë i janë ngarkuar zyrës së Presidentit, që të qëndroj stoik në këtë kontekst, për të qenë një filtër që ndalon një pushtet shumë më të fuqishëm që të shkelë mbi një tjetër, për balancimin mes palëve, midis institucioneve dhe iniciativave të tyre. Këtë më mirë se unë do ta gjykojë opinion, media, populli dhe historia.

Se cila do të jetë e ardhmja ime politike, pa dyshim që te çdo presidenti që mbyll një mandat, është krejt e natyrshme synimi i një mandati të dytë kur ai mendon se e ka kryer me përpjekje të sinqerta dhe të vërteta punën në mandatin e parë dhe që ka besim se mund të japë ende kontribute, në një mandat tjetër. Por, në sistemin tonë, kjo nuk mbetet vetëm në dëshirën e Presidentit të Republikës. Kjo është e ndërthurur me vullnetin e mazhorancës përkatëse në parlamentin e Shqipërisë. Mbetet për t’u parë se cilat do të jenë zhvillimet deri në prill-maj, sepse për herë të parë ndodh që Presidenti zgjidhet në të njëjtën kohë me parlamentin e ri.

Prandaj, parlamenti aktual, përpara se të shpërndahet duhet të zgjedhë Presidentin që do të vijojë. Sido që të ndodhë, unë ju garantoj juve, opinionin publik, të gjithë ata që janë të interesuar për mënyrën e funksionimit të Zyrës së Presidentit të Republikës, se deri në datën 24 korrik 2017, ajo do të funksionojë në përmbushje të plotë të detyrave dhe të drejtave të mia kushtetuese. Më tej, mund t’ju them sot një gjë të sigurtë që nuk e kam ndërmend të dal në pension kaq shpejt. Se cila do të jetë më pas rruga që do të ndjekë aktiviteti im, do të mbetet për t’u parë.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: