Nga: FATOS TARIFA*
Sistemi ynë universitar dhe sistemi ynë arsimor, në përgjithësi kishin hyrë me kohë në një krizë të thellë. Megjithëse për reformimin e këtij sistemi ishte folur edhe më parë, është, pa dyshim, meritë e qeverisë aktuale që e kuptoi se ky sistem duhej reformuar (dhe sa më parë) dhe që, brenda një kohe të shkurtër, mundi të hartonte një platformë të përgjithshme, por mjaftueshmërisht të detajuar, për t’u hapur rrugë ndryshimeve ligjore dhe përmes tyre, reformimit strukturor e përmbajtësor të krejt sistemit të arsimit të lartë e të kërkimit shkencor në Shqipëri. Më vjen mirë që qeveria e re nuk hezitoi ta shihte të vërtetën në sy dhe ta pranonte atë. E vërteta ishte dhe mbetet kjo: Nëse në shekullin e 21-të, Shqipëria do të vazhdojë të mbetet pas vendeve të tjera europiane ose do të zhvillohet si ato, kjo, në një masë të madhe, do të varet nga cilësia e arsimit që do u ofrojnë nxënësve dhe studentëve shqiptarë shkollat dhe universitetet tona.
Më në fund, për të parën herë në historinë e arsimit të lartë në Shqipërinë postkomuniste, u kuptua dhe u pranua se problemet dhe sfidat që duhen përballuar janë të mëdha, prandaj edhe zgjidhjet për to duhet të jenë të mëdha. Reforma e arsimit të lartë u konceptua dhe u trajtua si një reformë thelbësore, që do të thotë përmbajtësore në radhë të parë, por edhe financiare e strukturore. Kjo reformë synon të pasqyrojë transformimet ekonomike e kulturore të kryera në shoqërisë shqiptare, ndryshimet në mënyrën e formimit dhe në interesat e brezit të ri dhe, sidomos, t’u paraprijë nevojave e zhvillimeve të ardhshme në çdo sferë të aktivitetit ekonomik e shoqëror. Siç ka vënë në dukje Eric Ashby, një sistem universitar “duhet të jetë mjaftueshmërisht i qëndrueshëm për të ruajtur dhe vazhduar idealin për të cilin universiteti u krijua, si dhe mjaftueshmërisht reagues ndaj zhvillimeve të shoqërisë për të vazhduar së qeni i rëndësishëm për shoqërinë që e mbështet atë”.
Ajo që përbën nexus-in e arsimit të lartë është një raport dinamik midis shumë faktorëve—makro-e mikro-socialë—të cilët, për mendimin tim, janë mbajtur parasysh mjaft mirë në Projektligjin për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Republikën e Shqipërisë, që qeveria ka dorëzuar tashmë për miratim në Kuvend dhe që Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka nisur ta shqyrtojë. Për afro dy vjet, i kam ndjekur nga afër punën e Komisionit që hartoi Raportin për Reformën e Arsimit të Lartë e të Kërkimit Shkencor dhe kam vënë re se si janë pasqyruar në atë dokument dhe në projektligjin e dorëzuar për miratim shumë nga vërejtjet e sugjerimet që janë bërë në dhjetëra e qindra diskutime me grupe të ndryshme interesi.
Opozitë mitike, jo akademike
Është veçse e natyrshme që ne, të gjithë, si shoqëri, të presim shumë nga reforma e arsimit të lartë dhe e kërkimit shkencor, të cilit ky projektligj, pasi të jetë miratuar në Kuvend, do t’i hapë rrugë. Por, siç jam shprehur edhe në raste të tjera, unë i kam kundërshtuar dhe i kundërshtoj ata kritizerë të reformës e të projektligjit mbi arsimin e lartë, të cilët, me çdo kusht e në çdo mënyrë, janë përpjekur e vazhdojnë të përpiqen ta bllokojnë miratimin e këtij projektligji dhe ta pengojnë reformimin e universiteteve shqiptare. Disa prej tyre, të njohur si profesorë ose intelektualë “mediatikë”, që i sheh në çdo studio televizive dhe i lexon në çdo të përditshme, janë përpjekur madje të krijojnë e t’i servirin publikut jo të mirinformuar shqiptar dhe një pjese të studentëve të fakulteteve, ku ata vetë japin mësim, disa mite që, si të tilla, janë të rreme dhe për këtë arsye duhen përgënjeshtruar.
Miti i parë
Reforma e arsimit të lartë dhe projektligji që e mbështet atë do i bëjnë studentët e varfër shqiptarë më të varfër nga ç’janë, dhe do t’i pasurojnë më shumë ata më të pasurit. Ky mit është i denjë për një program humoristik, si “Portokallia”, ku bëhet gallatë me çdo gjë që thuhet, dhe ku ai është formuluar nga njëri prej profesorëve antireformatorë të arsimit e të shkencës, paçka se edhe vetë publiku i atij show humoristik nuk e merr seriozisht. Ligji i ri, nëse ai miratohet, siç besoj se do të ndodhë, përkundrazi, u ofron shanse të barabarta shkollimi e karriere të gjithë studentëve me aftësi dhe arritje akademike të ngjashme, mbi bazën e konkurrueshmërisë e të meritave. Nuk ka as edhe një frazë apo dispozitë të vetme në projektligjin e ri që ta justifikojë mitin e mësipërm.
Miti i dytë
Reforma e arsimit dhe ligji i ri, nëse ai miratohet, do të sjellin në krye të universiteteve shqiptare “komisarët” e djeshëm dhe do ta shndërrojnë Shqipërinë në një vend si Koreja e Veriut (!). Ky mit “gogol”, i formuluar nga i njëjti profesor dhe të ngjashmit e tij, është i vetëdiskredituar, dhe vetëm ata më naivët do të mund ta besonin. Sistemi i ri universitar që propozohet është më demokratik, më i hapur e më transparent se ky që kemi pasur deri më sot dhe, si drejtimi akademik, ashtu dhe menaxhimi financiar i institucioneve të arsimit të lartë vihet, për herë të parë, mbi baza bashkëkohore, mbështetur mbi përvoja pozitive të huaja, e që janë të dobishme edhe për vendin tonë.
Miti i tretë
Projektligji i ri mbi arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor është diskriminues për universitetet publike, ndërkohë që favorizon sektorin privat të arsimit të lartë. Ky mit është krijuar dhe ushqehet në mënyrë diabolike nga një grup fare i vogël profesorësh të Universitetit të Tiranës, të cilët, për të penguar miratimin e ligjit dhe vetë reformimin e sistemin tonë universitar, përpiqen të mashtrojnë masën e gjerë të studentëve. Ata synojnë t’i “armiqësojnë” studentët me një reformë, e cila jo vetëm nuk do t’i “prekë” ata që studiojnë aktualisht në shkollat tona të larta, por që, në fakt, do t’u shërbejë brezave të ardhshëm që do të studiojnë në universitete shqiptare, publike e private, që duhet të jenë (dhe do të jenë) më të mira se universitetet që kemi sot.
Miti i katërt (i ngjashëm me atë më sipër)
Profesorati dhe studentët e universiteteve publike janë kundër projektligjit të ri mbi arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Në fakt, nëse keni vënë re se cilët profesorë dhe sa studentë e kontestojnë këtë projektligj, nuk ka si të mos kuptoni se ata që janë kundër tij janë një grup fare i vogël profesorësh, nga vetëm dy-tri fakultete të Universitetit të Tiranës, dhe një pjesë fare e vogël studentësh të po atyre fakulteteve, që u shkojnë pas profesorëve të tyre. Për më tepër, siç kam vënë në dukje edhe më parë, pedagogët e UT-së që e kontestojnë më fortë këtë reformë dhe projektligjin e ri, janë ndër ata, të cilëve kjo reformë dhe ky ligj u cenojnë interesat personale, u kufizojnë privilegjet dhe u heqin mundësitë të drejtojnë, si deri më sot, të pakonkurruar nga profesorë të tjerë. Në dijeninë time (dhe nga sa kam ndjekur me shumë vëmendje deri më sot zhvillimet për këtë problem), pjesa më e madhe e profesoratit të Universitetit të Tiranës, të Universitetit Politeknik, të Universitetit Mjekësor dhe të universiteteve të tjera shtetërore, nuk janë shprehur kundër kësaj reforme dhe as kundër projektligjit. Përsa u përket universiteteve private, ato, thuajse pa përjashtim, siç rezultoi sërish edhe nga konferenca e rektorëve të tyre, e mbledhur pak ditë më parë në Universitetin e Nju Jorkut Tiranë, profesorati i tyre dhe ata dhjetëra-mijëra studentë që shkollohen në to, e vlerësojnë dhe e përkrahin këtë projektligj.
Miti i pestë
Shqipëria është një vend i varfër për të qenë në gjendje që të krijojë një sistem modern të arsimit të lartë. Unë, përkundrazi, mendoj se Shqipëria nuk do të bëhet kurrë një vend i zhvilluar dhe i pasur pa ndërtuar një sistem shkollor dhe universitar modern. Sepse, arsimi i lartë është një investim me efektivitet të lartë për zhvillimin ekonomik e shoqëror të çdo vendi. Një sistem modern i arsimit të lartë dhe universitete të klasit të parë janë asete me vlerë të jashtëzakonshme për ekonominë e një vendi, e cila, në kushtet e shekullit të 21-të, tenton të shndërrohet gjithnjë e më shumë në një ekonomi të mbështetur në dijen.
Një mundësi që nuk duhet humbur
Nuk ka dyshim se projektligji mbi arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor që qeveria ka dorëzuar për miratim në Kuvend nuk është i përkryer. Asnjë ligj, asnjëherë, askund, nuk është i përkryer. Por ky projektligj është mbështetur mbi një platformë reale, të diskutuar gjerë e gjatë, për afro një vit e gjysmë, nga të gjitha grupet e interesit që, në një mënyrë a në një tjetër, janë të lidhura me të ose ndikohen prej efekteve të tij. Reforma e propozuar mund të ketë defektet e saj, jo në parimet e saj, të cilat janë të qarta e të drejta, por në një pjesë të atyre që quhen si ‘nuts and bolts’ të sistemit, pra në disa prej pjesëve dhe elementeve organikisht të lidhura mes njëra-tjetrën dhe që e bëjnë sistemin të funksionojë. Një pjesë të këtyre defekteve projektligji i ri i ka korrigjuar; të tjera defekte do të bëhen eventualisht të dukshme e të ndjeshme me kalimin e kohës dhe mund të korrigjohen edhe ato në të ardhmen. Si çdo ligj, edhe ligji për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor nuk mund të mendohet të jetë (dhe s’ka si të jetë) i përjetshëm. Zhvillime të ardhshme do të bëjnë të mundur e të domosdoshme rivlerësimin dhe ndryshime të pjesshme apo rrënjësore të tij. Kjo, sidoqoftë, është një detyrë e qeverive dhe e legjislaturave të ardhshme. Ajo që kërkohet dhe për të cilën ka nevojë vendi ynë sot është një reformim (unë parapëlqej termin transformim) i sistemit tonë të arsimit të lartë, sepse me atë që kemi pasur deri më sot nuk mund të ecet më.
Unë i kam kundërshtuar dhe i kundërshtoj ata pedagogë, të cilët apriori shprehen kundër kësaj reforme dhe kundër projektligjit në fjalë me “argumentin” se sistemi që propozohet nuk garanton të jetë i suksesshëm. Këtë qëndrim e shoh si një përpjekje për të frenuar një zhvillim, më në fund pozitiv, në Shqipëri, në emër gjoja të interesave publike dhe të fateve të vendit. Zërave të tillë u jam përgjigjur e përgjigjem në këtë mënyrë:
Së pari, jo të gjitha pritshmëritë tona për arsimin e lartë janë realiste, siç nuk janë të tilla edhe disa nga pritshmëritë tona për demokracinë. Ne s’mund të jemi aq të paarsyeshëm sa të presim që të gjithë ata dhjetëra-mijëra studentë që mbushin auditorët e universiteteve tona do të marrin arsimin e duhur, ose do të përfundojnë studimet duke u specializuar më së miri në profesionin e tyre, ashtu sikurse s’mund të presim që të gjithë ata mijëra pedagogë që japin mësim në universitetet shqiptare, ose ata dhjetëra e qindra pedagogë që fitojnë çdo vit grada e tituj shkencorë, të kryejnë studime origjinale dhe me vlerë. Por, ne duam të besojmë dhe presim që sistemi i ri të funksionojë, që ai të punojë për ne, si shoqëri, dhe jo kundër nesh. Dhe këtë, projektligji i ri e mundëson.
Së dyti, arsimi i lartë nuk jep rezultate në tremujorin e ardhshëm, as në dy ose në pesë vite; ai ka të bëjë me inovacione dhe zbulime që mund të kërkojnë dekada të tëra. Rezultatet e plota të kësaj reforme do të mund të shihen qartë vetëm pas formimit të një brezi të ri shqiptarësh, që do të nisin shkollimin e tyre në klasë të parë shtatorin e ardhshëm dhe do i përfundojnë studimet universitare aty rreth vitit 2030.
Reformimi i arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor dhe projektligji që do e mundësojë atë janë tërësisht në favor të studentëve shqiptarë e të mbarë shoqërisë. Mangësitë që mund të vërehen aty-këtu, për çështje të veçanta, në asnjë mënyrë nuk i zbehin meritat dhe vlerat e kësaj sipërmarrjeje shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë. Përballë problemeve e sfidave të shumta me të cilat ndeshet arsimi i lartë në Shqipëri, ligji i propozuar dhe reforma që do të nisë për zbatimin e tij ofrojnë zgjidhje të menduara mirë, edhe pse, në shumë raste, të vështira. Ato synojnë as më pak, as më shumë sesa ndryshimin e vetë kulturës institucionale të universiteteve tona, duke ndërhyrë në ato që mund quhen “gene institucionale” të universitetit. Këto “gene”, siç kam theksuar edhe në raste të tjera, janë egoiste; ato priren të riprodhojnë vetveten besnikërisht, madje edhe në dëm të mirëqenies së institucionit e të mbarë shoqërisë, çka do të thotë se zbatimi në praktikë i reformës së arsimit të lartë do të jetë i vështirë. Por, të paktën, hapi i parë, ai që synon dhe bën të detyrueshëm ndryshimin e koncepteve, të politikave e të praktikave të derisotme në institucionet e arsimit të lartë, është hedhur dhe unë uroj që Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik t’ia rekomandojë Kuvendit të Shqipërisë për miratim.
Kjo është një mundësi që nuk duhet humbur.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: